Van Basten kënaqet edhe me një pikë në Shqipëri

Trajneri i Holandës, Marko Van Basten, e kupton më mirë se kush do tjetër situatën, në prag të dy ndeshjeve me Bullgarinë dhe Shqipërinë. E ka të qartë se Shqipëria në vendin e saj ka dy faktorë më shumë se yjet e tij. "Ajo do të jetë shumë më sulmuese se në takimin e parë, kur ne u përballëm kundër tyre tetorin e vitit të kaluar, pasi Shqipëria nuk do të luajë në fundjavë për ndeshjet kualifikuese. Kjo do të thotë, se lojtarët shqiptarë do të kenë më shumë kohë pushim dhe do të jenë në gjendje më të mirë fizike kundër nesh". Shqipëria humbi ndaj Holandës në Amsterdam me rezultatin e ngushtë 2-1, ku një nga golat për holandezët e dhuroi, mbrojtësi Nevil Dede, me autogolin e tij. Debatik Curri shënoi golin e vetëm për kuqezinjtë, por portieri Van Der Sar u tremb jo pak nga shtylla e realizuar nga Armend Dallku. Në ndihmë të Van Bastenit atë takim erdhi edhe gjyqtari izraelit Aron Jefet, i cili nuk dha tri penallti të pastra.
Sfidat - Marko Van Basten, i vlerëson dy sfidat e ardhshme me Bullgarinë dhe Shqipërinë si dy ndeshje shumë të rëndësishme për të, nga ky varet edhe kualifikimi i "portokallinjve". Deklarata është bërë gjatë një interviste të teknikut të "tulipanëve" për faqen zyrtare të Federatës Holandeze të Futbollit, knvb.nl. "Janë dy duele shumë të rëndësishme për ne, para së gjithash për faktin se ne vuajtëm shumë kundër tyre në ndeshjet e fundit të kualifikueseve", - pohoi Van Basten.
Një pikë - "Për ne objektivat janë të qarta. Ne duhet të kualifikohemi për në Kampionatin Europian, që është dhe qëllimi kryesor. Ne do të ndeshemi fillimisht me Bullgarinë, që është edhe sfida kyce, dhe katër ditë më pas, kundër Shqipërisë. Nëse do të dilnim pa pikët e duhura nga këto dy ndeshje, atëherë edhe kualifikimi do të vihej në dyshim të madh. Të mundim Bullgarinë do të thotë të dalim minimalisht pesë pikë para tyre, për shkak se kemi një ndeshje më pak, por edhe me një barazim të marrë jashtë (në Shqipëri) dhe një fitore këtu (në Holandë) nuk do të ishte rezultat i keq".
Optimizmi - Holanda ka zhvilluar gjashtë ndeshje dhe ka edhe gjashtë të tilla në dispozicion për të luajtur. Ndihmësi i Van Bastenit, Xhon Van't Ship, shton: "Ne duhet të kalojmë Rumaninë dhe Bullgarinë, dy vende që do të luftojnë për të shkuar në finalet e Austrisë dhe Zvicrës, ose të jemi një nga dy vendet e para të grupit, që nuk ka shumë rëndësi për ne, në cilin vend do ta përfundojmë fushatën. Por, kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje". Tifozët - "Nuk duhet të harrojmë aspak, - paralajmëron Ndihmësi i Van Bastenit, - se do të ndeshemi me skuadra si për shembull me Shqipërinë apo Bjellorusinë që dëshirojnë të bëjnë gjithcka përpara tifozëve të tyre, dhe kjo nuk i vështirëson pak punët. Shqipëria nuk është thjesht një kundërshtar i vështirë. Ne i pamë ata. Shqipëria nuk është e tillë vetëm kundër nesh, por ndaj një grupi të gjerë kundërshtarësh, me të cilat ajo ka luajtur. Varet nga ne sa do të jemi të zotë të fitojmë atje, përballë tifozëve fanatikë të tyre".
Ndeshja e parë
Holandë-Shqipëri 2-1
11 tetor 2006
"Amsterdam Arena"
Holandë
Golat: Van Persi, Dede (autogol)/ Curri