Duro: Grup pune për rishikimin e Kodit Të Punës

Ministria e Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Brabarta së shpejti do të ngrejë një grup pune për rishikimin e Kodit të Punës, në të cilin do të bëjnë pjesë specialistë të së drejtës së punës në vend, përfaqësues të partnerëve sociale, si dhe një ekspert i ILO - Organizatës Ndërkombëtare të Punës.Lajmi u konfirmua sot nga Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, gjatë një takimi që zhvilloi me një ekip të Bankës Botërore në kuadër të projektit "Të bësh Biznes", ku në qendër të bisedës ishin reformat në procesin e punësimit.Delegacioni i Bankës Botërore i përbërë nga Stefka Slavova, shefe e delegacionit dhe specialiste e lartë e ekonomisë, si dhe nga z.Arvo Kuddo, specialist i marrëdhënieve të punës, bënë një prezantim të projektit dhe 19 indikatorëve përcaktues mbi të cilën bazohet renditja e vendeve në raportet e përvitëshme të "Të bësh Biznes". Raporti evidenton lehtësitë dhe vështirësitë me të cilin haset biznesi në secilin prej 181 vendeve që analizon BB. Shefja e delegacionit, Slavova, tha se raporti i fundit vlerësonte punën e qeverisë shqiptare për të lehtësuar e nxitur biznesin dhe, konkretisht, është vlerësuar Kodi i Punës, ligji bazë që rregullon marrëdhëniet e tregut të punës midis punëdhënësve dhe punëmarrësve. "Megjithatë, Raporti vëren edhe elementë që duhet të përmirësohen, nëpërmjet ndryshimeve në ligjin bazë që rregullon marrëdhëniet e punës (Kodin e Punës), të tilla si fleksibilitet më i madh në hartimin e kontratave të punës, në përcaktimin e pushimit javor, rishikim i afateve të njoftimit për pushimet kolektive si dhe mënyrën dhe nivelin e pagesave të papunësisë", u shpreh Kuddo.