E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqia, ratifikon Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Turqia bëhet vendi i nëntë i NATO-s që ratifikon Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Deri tani kjo marrëveshje është ratifikuar edhe nga Hungaria, Letonia, ShBA-ja, Lituania, Polonia, Rumania, Bullgaria dhe Sllovakia. Gjatë takimit me Presidentin Topi në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Turqisë, Presidenti turk Abdullah Gyl firmosi dekretin Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, i cili u ratifikua një ditë më parë nga parlamenti turk. Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për këtë ratifikim, i cili dëshmon edhe një herë mbështetjen konkrete të Turqisë për aspiratat integruese të Shqipërisë. Presidenti Topi përsëriti vlerësimin për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj aspiratës e përpjekjeve të Shqipërisë për anëtarësim në NATO, të cilat kanë qenë sa politike, edhe në drejtim të mbështetjes së reformimit e modernizimit të Forcave të Armatosura Shqiptare. Të dy Presidentët kanë vlerësuar nënshkrimin vitin e kaluar të Protokollit të Bashkëpunimit në Procesin e Integrimit Evropian midis dy vendeve, çka i shërben shkëmbimit të përvojës pozitive midis dy vendeve tona për përshpejtimin e ritmeve të integrimit të plotë në strukturat evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›