E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Korrupsion galopant

Tiranë (start)-Partia Socialiste deklaroi sot se korrupsioni është një nga problemet më shqetësuese për shqiptarët. Në një deklaratë për mediat, kryetari i Komisionit të Ligjeve në PS, Ylli Manjani tha se Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi se qeveria është përfshirë e tëra në korrupsion. Sipas Manjanin, që nga viti 2005 e deri në korrik 2008, KLSH ka konstatuar mbi 2.7 miliard lekë shkelje, duke theksuar se dëmi më i madh është hasur në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, me rreth 200 milionë euro.

“Asnjë derë e qeverisë nuk hapet për askënd që me të drejtë të ligjit e të zotit kërkon të kryejë një sipërmarrje të ndershme, nëse nuk paguan përqindjen e preferuar të qeveritarëve të korruptuar. Asnjë shërbëtor publik- i emëruar nga Sali Berisha sipas kritereve të tij politike-nuk shërben ose shërben keq po nuk pagove tarifën e majme të korrupsionit”-theksoi Manjani.

Në emër të Partisë Socialiste, Manjani ka kërkuar nga Prokuroria dhe gjykatat që të mbrojnë paratë e shqiptarëve nga abuzimi galopant i qeverisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›