E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duro: Irlanda e Veriut, testi më i mirë para eliminatoreve

Kombëtare Mesfushori komenton grupin D të Euro 2012: “I vështirë, por duhet të krijojmë grupin”

Shqipëri-Irlanda e Veriut është ndeshja e parë e kuqezinjve për 2010 dhe njëkohësisht konsiderohet edhe testi i parë, në një kohë kur Kombëtarja jonë fillon të mendojë për eliminatoret e Euro 2012. Kjo ndeshje miqësore na rikthen në “Qemal Stafa” pas 17 vjetësh, që nga fitorja 2-1 që na morën në shkurt të vitit 1993 (goli i Rrakllit). Ndërsa takimi i fundit midis dy formacioneve – një fitore 1-0 për Shqipërinë (gol i Altin Haxhit), u luajt në Zyrih të Zvicrës, për shkak të vitit të mbrapshtë 1997 në Shqipëri. Edhe për mesfushorin e Kombëtares, Klodian Duro, ky takim ka shumë vlera, pasi sipas tij Irlanda e Veriut është kundërshtari i duhur për të provuar forcën tonë, para se të nisim eliminatoret në Grupin D. “Irlanda e Veriut është e ndryshme nga skuadrat e tjera që ne kemi në grup. Kjo miqësore na vlen shumë, pasi duhet të krijojmë grupin dhe të jemi gati për eliminatoret”, tha Klodian Duro, autor i katër golave me përfaqësuesen, po aq sa legjenda Panajot Pano. Shqipëria do të përballet në eliminatoret e Kampionatit Europian me emra “të rëndë”, si Franca, Rumania, por dhe Bosnja. Për lojtarin e Apollon Limasol të Qipros, në këtë grup kemi shanse të mira për të përmirësuar renditjen në klasifikimin botëror dhe europian. “Mendoj se i kemi shanset për një renditje më të mirë në këto eliminatore. E rëndësishme është ta nisim mirë dhe të krijojmë edhe një atmosferë pozitive, megjithatë duhet të pranojmë se grupi është shumë i vështirë. Objektivi ynë duhet të jetë që të fitojmë nga 6 pikë me skuadra si Luksemburgu apo Bjellorusia”. Mesfushori shprehu kënaqësinë e tij për rikthimin në ekip të Beqajt dhe Lalës, ndërkohë që nuk la pa thumbuar refuzimin e Mavrajt. “Takohemi për herë të parë pas kaq kohësh dhe për fat grupi është i plotë”, shtoi Duro. I pyetur në lidhje me refuzimin për herë të dytë të kosovarit Mërgim Mavraj të ftesës për të veshur fanellën e Shqipërisë e jo të Gjermanisë, siç pretendon mbrojtësi i Bokumit, Duro u tregua i drejtpërdrejtë. “Ky ka qenë një vendim i Mavrajt dhe ai e di vetë. Por, unë jam i mendimit se edhe brenda territorit ne kemi futbollistë mjaft të mirë dhe te të cilët mund të mbështetemi për të ardhmen”, përfundoi Duro.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›