Muzaka: Dua shansin tim në fushë
Te Tirana shkëlqen dhe në kampionatin shqiptar është parë gjithnjë si talenti i së ardhmes së Kombëtares, por në Kombëtare nuk ka gjetur deri tani hapësirat e duhura për t’u shprehur. Bëhet fjalë për Gjergji Muzakën, i cili shpreson se “ky do të jetë edicioni im në përfaqësuese. Do përpiqem të përshtatem në të gjitha rolet që do më caktojë trajneri”. Sipas tij, pengesë është bërë pozicioni ku ai luan, i cili është i ndryshëm nga ai te Tirana. “Kombëtarja nuk është si një klub, nënvizon mesfushori. Konkurrenca është shumë e madhe. Moduli i lojës së Kuzhesë apo edhe i të tjerëve ndonjëherë edhe më kanë penalizuar. Trajneri insiston në mënyrën e vendosjes në fushë dhe mundohet të na ngulisë idetë dhe skemat e tij taktike. Dhe kërkon gjithashtu t'i zbatojmë me saktësi. Pozicioni im ndryshon në Kombëtare, ndryshon pak nga ai te Tirana. Kuzhe kërkon gjithmonë të futemi nga krahët në qendër”. Por mendon se edhe ai meriton shanset e tij. "çdo lojtar kërkon të ketë shansin e vet. Mua po më jepet një shans dhe dua ta shfrytëzoj. Fakti që jam pjesë e këtij grupi është diçka e madhe për mua. Thuhet gjithmonë që të luash në Kombëtare duhet të aktivizohesh jashtë. Kuzhe nuk ma ka thënë një gjë të tillë. çdo lojtar kërkon të arrijë maksimumin, brenda ose jashtë Shqipërisë”, përfundon Muzaka.
#