Duro: Ja si mund të luajmë kundër HungarisëIsh-zëvendëstrajneri i Kombëtares, Shpëtim Duro: Skema ideale, 4-3-2-1.“Të luajmë me një sulmues dhe super kujdes në aspektin mbrojtjes. Skela është çelësi i lojës”

Jorgis MEMO - Kur na ndajnë edhe dy ditë nga ndeshja eliminatore me Hungarinë, ende nuk dihet se cilët do të jenë 11 kuqezinjtë që trajneri Ari Han do të hedhë në fushë. Gjithsesi, duke parë lojtarët që ka grumbulluar për këtë ndeshje, ndoshta diçka mund të zbulohet. Për të folur në prag të sfidës, rreth lojës që duhet të zhvillojë Shqipëria për të mposhtur Hungarinë, “Panorama Sport” kontaktoi me ish-zëvendëstrajnerin e ekipin tonë kombëtar, Shpëtim Duro, i cili ka punuar në kohën kur kuqezinjtë drejtoheshin nga Oto Bariç. Trajneri aktual i Partizanit, duke njohur mirë grupin e lojtarëve aktualë të Kombëtares, jep disa mendime për mundësitë e tyre dhe vendosjen në fushë. Natyrisht, që këto zgjedhje i takojnë Ari Hanit, por një specialist futbolli si Duro përpiqet të argumentojë mendimin e tij, se pse kuqezinjtë duhet të luajnë me variantin 4-3-2-1, që sipas ish-zëvendësit të Bariçit mbetet ideali për përfaqësuesen.
Në syrin tuaj, për të mposhtur Hungarinë, çfarë ekipi duhet të shikojmë të shtunën?
Mendoj se skuadra jonë duhet të jetë super e kujdesshme, sepse vërtetë luajmë me një kundërshtar që nuk ka ndonjë emër të madh, por në përbërje ka lojtarë që aktivizohen në skuadra të njohura të Evropës. Në aspektin taktik, duhet të jemi tepër të kujdesshëm në mbrojtje. Nuk duhet të rrezikohemi dhe gjithashtu të mos kalojmë në eufori. Në këtë ndeshje duhet të shfrytëzojmë situatat e veçanta të lojës. Ne kemi lojtarë që mund të befasojnë, por gjithsesi e rëndësishme mendoj se është që duhet të jemi shumë të qetë, në mënyrë që Hungaria me kundërsulm të mos na rrezikojë. Të kemi një ekuilibër midis lojës mbrojtëse dhe organizimit në mesfushë. Këtu unë kam parasysh ndeshjen e parë në Hungari, ku ne luajtëm mjaft mirë pjesën e parë, ndërsa në të dytën u goditëm. Këtë ndeshje besoj se do ta vendosin momentet e veçanta. Me pak fjalë, ne duhet të bëjmë Hungarinë e ndeshjes së parë.
Cila është për ju vendosja ideale në fushë?
Unë si trajner do preferoja që të luaja me një sulmues në ndeshjen me Hungarinë. Më konkretisht, me variantin taktik, 4-3-2-1. Eshtë ajo çka thashë më lart, që duhet të jemi të kujdesshëm dhe jo të uritur për fitoren. Ne kemi mesfushor-sulmues që janë shumë të mirë, si Skela apo Duro, të cilët bëjnë punën e aksioneve të befasishme. Mendoj se këtu duhet ta ndërtojmë lojën, natyrisht në pjesën e parë, sepse me kalimin e minutave dhe në varësi të rezultatit, gjithçka mund të ndryshojë. Edhe me Suedinë kështu luajtëm. Gjithsesi, kur nga pas ke dy-tre lojtarë me fuqi sulmuese, edhe skuadra bëhet e rrezikshme.
Këtu, cili do të ishte roli i Canës, Currit dhe Lalës?
Canën e shikoj më mirë në mbrojtje, sepse po luajte me një sulmues, do të kesh nga pas dy mesfushorë ofensivë dhe pas tyre, dy të tjerë difensivë. Ndërsa për Currin mund të them se është lojtar universal. I bën mirë të dyja fazat, si mbrojtëse, ashtu edhe sulmuese. E shikoj të domosdoshëm në mesfushë kundër Hungarisë. Pra, si dy shkatërrues mendoj Currin me Bulkun, sepse ata i japin përparësi në veprimet sulmuese Duros dhe Skelës. Ndërkohë, Lala duhet të jetë para Canës. Kjo mendoj se mund të jetë idealja, të paktën për fillimin e lojës, sepse nuk dihet, ajo ndryshon minutë pas minute.
Po për lojtarët e tjerë të mbrojtjes?
Vangjelin e shikoj në krahun e majtë, si një lojtar zonal, pasi e bën më mirë aspektin mbrojtës. Ndërsa për Dallkun nga e djathta, mund të them se me daljet e tij ndihmon edhe Bulkun. Këtë gjë bënte edhe Oto Bariç. Dallkut i hapen zonat dhe nëse ka fuqi, ndihmon në aksionin sulmues.
Në pozicionin e sulmuesit të mirëfilltë, kë shikoni?
Duke qenë se Bogdani dhe Kapllani nuk janë, për mua sulmuesi i parë duhet të jetë Salihi. Loja jonë duhet të bazohet te trekëndëshi: Duro-Skela-Salihi. Kjo është befasia, sepse edhe kundërshtari do fitoren. Kjo skemë i jep shumë hapësirë Duros dhe Skelës.
Me këtë variant, lojtari kyç i Shqipërisë kush është?
Për mua, çelësi kryesor mbetet Ervin Skela. Nëse ai është mirë, diçka do të funksionojë. Trajneri Ari Han duhet ta lërë të lirë Skelën, duke mos e ngarkuar me detyra mbrojtëse. Ai e di vetë ku luan dhe është lojtari që nga skuadra jonë bën më mirë lëvizjen e befasishme.
Duke u kthyer te loja, çfarë ekipi keni parë deri më tani?
Ne e kemi ndërtuar lojën me një mbrojtje të thellë dhe topa vertikalë. Megjithatë, mendoj se lojtarë si Dallku dhe Duro mund ta bëjnë mirë krahun, por kjo nuk ka ndodhur. Loja nga krahët na mungon.
Çfarë vuajmë tjetër?
Momentet spontane, sepse nuk përqendrohemi në lojë.
Duro për fantazistin
“Skela mbetet i pazëvendësueshëm”
Kur vjen momenti për të folur rreth lojtarëve me peshë në Kombëtare, trajneri Shpëtim Duro ndalet gjatë tek fantazisti Ervin Skela. “Është pika kyçe e Kombëtares. Ai duhet të ikë nga ajo, kur të thotë vetë: Nuk dua të luaj më futboll. Për mua është një lojtar i pazëvendësueshëm për Shqipërinë. Sado që të jetë dobët, prapë ka peshën e vet në ekipin kombëtar”, thotë ish-zëvendëstrajneri i kuqezinjve, që për disa vite drejtoi edhe kombëtaren U-17. Në koefidencë, Duro shtoi se fantazisti vlonjat ishte pika e dobët e trajnerit Oto Bariç, që vetëm e lavdëronte futbollistin, për mënyrën e lojës së tij dhe asaj çka jepte në stërvitje.
Provën e parë e humbi
“Kjo është ndeshja e trajnerit”
“Tashmë, pas zhgënjimit me Maltën, Hungaria mendoj se është ndeshja e trajnerit. Shikoj një pjesë të parë shumë të rëndësishme. Nëse pësojmë një gol, mendoj se do të jetë vdekjeprurës. Eshtë një ndeshje vendimtare, sepse luajmë ndaj një kundërshtari, që momentalisht, vetëm këtë mund të mundim. Nëse nuk do të arrijmë ta bëjmë, e them me bindje që për Shqipërinë nuk ka më pikë. Duke qenë realistë, rrethi ngushtohet dhe me Danimarkën, Suedinë apo Portugalinë, nuk ka më tolerime, sepse luhet për vendet që të çojnë në Botëror. Prandaj them se është një ndeshje tepër decizive”, ka shtuar Duro, duke folur ndër të tjera edhe rreth kolegut të tij në pankinën kuqezi.
Formacioni ideal: 4-3-2-1
Beqaj, Dallku, Beqiri, Cana, Vangjeli, Lala, Bulku, Curri, Duro, Skela, Salihi.
Situata
“Dashje pa dashje, dy-tri ndryshime ndikojnë në ekip. Unë shikoj një situatë të turbullt te përfaqësuesja, sepse trajneri Ari Han e prishi grupin e fillimit. Kombëtarja u paraqit shumë mirë në dy ndeshjet e para eliminatore, kundër Suedisë dhe Maltës, por kjo mënyrë loje u zhduk më pas. Hani e prishi grupin e fillimit”, është shprehur trajneri aktual i Partizanit.
Mungesat
“Nuk e kemi luksin që Bogdani, Kapllani dhe Hyka të mos jenë në 22-she. Bogdani është një lojtar që ka emër dhe shumë eksperiencë. Ai është një sulmues i atillë, sa edhe Hungarinë e ka çuditur për faktin që është lënë jashtë. Kapllani është shënuesi më i mirë i edicionit të kaluar, ndërsa Hyka e justifikoi në dy ndeshjet e para dhe më pas, në mënyrë të pakuptimtë u la në hije,”- komenton Duro.
3 lojtarë
ka lënë jashtë Kombëtares, trajneri Ari Han. Sulmuesit Erion Bogdani dhe Edmond Kapllani, si dhe mesfushorin 20-vjeçar Jahmir Hyka. Dy të fundit nuk ishin pjesë e ekipit as në ndeshjen me Maltën, më 11 shkurt.
11 pikë
ka marrë Shqipëria nën drejtimin e kroatit Oto Bariç dhe ndihmësit të tij, Shpëtim Duro. Deri më tani, holandezi Ari Han ka grumbulluar 6 pikë, ndërkohë që kalendari u rezervon kuqezinjve sfida të vështira.
E Enjte, 26 Mars 2009