Kuman vlerëson kuqezinjtë, por vjen për të fituarTrajneri i Hungarisë i ka synimet e qarta për ndeshjen e radhës. “Duam tri pikët të shtunën, që më pas të shpresojmë për kualifikim”

Ervin Kuman po “ringjall” Hungarinë”. Është ky titulli i shkrimit të faqes zyrtare të FIFA-s në internet, dedikuar trajnerit të Hungarisë, Ervin Kuman. Ky i fundit, bashkëkombësi i trajnerit të Kombëtares sonë, Ari Han, në prag të ndeshjes me Shqipërinë, i ka synimet e qarta: Tri pikë, për të shpresuar kualifikimin. Ish-trajneri i Fejindordit në kampionatin holandez, që aktualisht drejton Hungarinë, mori drejtimin e kësaj të fundit më 1 gusht të vitit 2008, dhe kërkon ta udhëheqë drejt kualifikimit për në Botërorin “Afrika e Jugut 2010”. 47-vjeçari nuk e ndjen veten nën presion dhe ka besim te kjo Hungari. “Në fillim dëgjova shumë gjëra negative në lidhje me lojtarët, por unë u mundova për të futur mentalitetin tim në skuadër, - sqaron Kuman. – Lojtarët janë mjaft të motivuar dhe profesionistë. Kam një grup prej 25 lojtarësh dhe gjëja më e mirë është se shumica e tyre aktivizohen në Ligat më të njohur të Evropës. Cilësia nuk mungon, por qëllimi im është që të fusë frymën e besimit në këtë ekip. Jam duke punuar për të krijuar një skuadër të fortë”.
“Shqipëria e paparashikueshme”
Hungaria është në vendin e dytë të grupit 1, me shtatë pikë, njësoj sa Danimarka, që ka një golavarazh më të mirë. Në syrin e Ervin Kumanit, Shqipëriagjithashtu dhe Malta, janë dy ekipe të vështira për t’u parashikuar. “Përveç Danimarkës, Portugalisë dhe Suedisë, vlerat e të cilëve dihen, mund të them se Shqipëria ka një ekip të mirë. Grupi është me të vërtetë emocionues. Secili ekip është i aftë për të marrë pikë. Portugalia e nisi edicionin si e favorizuar, por gjatë rrugës ka pasur probleme. Unë mendoj se është herët për të folur se kush do të kualifikohet, deri sa të luhen edhe ndeshjet e fundit. Për Hungarinë, e rëndësishme është që të përfundojmë të parët, ose të dytët në grup. Kemi një shans të mirë për të bërë këtë. Unë shpresoj se ne mund të arrijmë në Botëror”, është shprehur Ervin Kuman. Grupi 1 eliminator duket i fortë dhe për këtë, holandezi më tej sqaron: “Nuk ka ndonjë diferencë të madhe midis ekipeve. Shembujt janë të thjeshtë, sepse edhe Luksemburgu, apo Ishujt Faroe, e treguan veten kundër Austrisë dhe Zvicrës. Në grupin tonë duhet të jesh i përqendruar në çdo ndeshje për të arritur atë që dëshiron”.
“Fitorja, ideale për ne”
Më 28 mars Hungaria luan fillimisht me Shqipërinë dhe katër ditë më pas ndaj Maltës në Budapest. Këto janë dy ndeshje shumë të rëndësishme për vazhdimësinë e ekipit të Kumanit. “Ne e kemi të qartë synimin tonë, për të arritur 6 pikë në këto dy ndeshje. Kjo do të ishte ideale, edhe pse në fund mund të jemi të kënaqur me katër pikë. Gjithsesi, tani rëndësi ka që të përballemi denjësisht në Shqipëri, ndaj një ekipi që kërkon të ‘vrapojë’. Na duhet të arrijmë një rezultat pozitiv”, shton trajneri i Hungarisë. Në fund, holandezi Kuman ndër të tjera foli edhe për ëndrrën kualifikim, duke e cilësuar si mrekulli, në rast se Hungaria e bënte realitet. “Nuk ka asnjë ekip të favorizuar në grupin tonë, ndoshta me përjashtim të Danimarkës, - tregon Kuman. - Ne nuk jemi të favorizuar, sepse ekipet e tjera kanë disa emra të mëdhenj. Portugalia ka Kristiano Ronaldon, ndërsa Suedia sulmuesin Zlatan Ibrahimoviç. Ne kemi nevojë për të luajtur si një ekip dhe të gjithë bashkë të kërkojmë suksesin. Nëse lojtarët e mi vazhdojnë me këtë besim, kundërshtarët do ta kenë të vështirë të na mundin. Kualifikimi për në “Afrika e Jugut 2010”, do të ishte një mrekulli. Do t'i jepte një nxitje të madhe Hungarisë. Është një vend i vogël, por krenar për traditën që ka në futboll”.
Përgatiti: Jorgis Memo
Mbrojtësi
Alarm hungarez, dëmtohet Toth Balazh
Me shumë mundësi Hungaria do të bëjë pa Toth Balazh, në ndeshjen eliminatore kundër Shqipërisë. Mbrojtësi që aktivizohet me Genkun në Belgjikë, u dëmtua të mërkurën në stërvitje. Të dhënat e para flasin për një dëmtim serioz, por diagnoza e saktë për të, pritet të jepet sot. Ndërkohë, sipas mediave hungareze, pritet që trajneri Ervin Kuman, të ketë si zgjedhjen kryesore në portë kundër Shqipërisë, Fili Martin, që është pjesë e Sandërlendit në Bundesligë.
E Premte, 27 Mars 2009