E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duro: Mavraj? Kemi lojtarë edhe brenda territorit

TIRANE- Kombëtarja shqiptare kërkon ta nisë me një fitore vitin 2010, në ndeshjen miqësore që do të luhet të mërkurën në mbrëmje kundër Irlandës së Veriut. Të hënën trajneri Josip Kuzhe ka patur në dispozicion grupin e plotë të futbollistëve, duke nisur kështu përgatitjet intensive për këtë takim. Ndonëse Irlanda e Veriut nuk ka shumë ngjashmëri me skuadrat e tjera të grupit ku ndodhet Shqipëria në Euro 2012, mesfushori Klodian Duro thotë se këto miqësore janë tepër të vlefshme për kombëtaren. “Takohemi për herë të parë pas kaq kohësh dhe për fat grupi është i plotë, - tha ai, duke nënkuptuar rikthimin e futbollistëve si Lala apo Beqaj. – Megjithëse Irlanda e Veriut është e ndryshme nga skuadrat e tjera që ne kemi në grup, kjo miqësore na vlen shumë pasi duhet të krijojmë grupin dhe të jemi gati për eliminatoret”, shtoi Duro. Në lidhje me objektivat që duhet të ketë Shqipëria në eliminatore, mesfushori mendon se shanset janë për një renditje më të mirë. “Mendoj se i kemi shanset për një renditje më të mirë në këto eliminatore, - u shpreh Klodian Duro. – E rëndësishme është ta nisim mirë dhe të krijojmë edhe një atmosferë pozitive, megjithatë duhet të pranojmë se grupi është shumë i vështirë. Objektivi ynë duhet të jetë që të fitojmë nga 6 pikë me skuadra si Luksemburgu apo Bjellorusia”. Mesfushori ndërkohë kuqezi ka komentuar edhe vendimin e mbrojtësit kosovar Mërgim Mavraj për t’i thënë jo kombëtares shqiptare. “Futbollistët me origjinë nga Kosova, megjithëse të gjithë jemi shqiptarë, janë pritur gjithnjë ngrohtë në kombëtare dhe janë ndjerë mirë. Ky ka qenë një vendim i Mavrajt dhe ai e di vetë. Por, unë jam i mendimit se edhe brenda territorit ne kemi futbollistë mjaft të mirë dhe te të cilët mund të mbështetemi për të ardhmen”, deklaroi mesfushori kuqezi. Ndërkohë, mesfushori i Tiranës Gjergji Muzaka, një nga të rinjtë e thirrur nga trajneri Kuzhe për këtë sfidë, pranon ndryshimin e futbollistëve që luajnë në Shqipëri me ata në Evropë. “Jashtë Shqipërisë ndryshon sidomos mënyra e stërvitjes dhe si rrjedhim, lojtarët bëhen më cilësorë, - u shpreh Muzaka. – Nuk ka dyshim se nga ana e disiplinës taktike futbollistët që luajnë në Evropë janë më të mirë dhe kjo dihet. A më ka thënë Kuzhe të shkoj jashtë? Jo, por unë kam luajtur jashtë dhe e di që nëse do të bëhesh më i mirë, duhet të shkosh e të luash në kampionatet e huaja”, deklaroi mesfushori bardheblu i kombëtares. Miqësorja mes Shqipërisë dhe Irlandës së Veriut do të luhet të mërkurën në orën 20.45 në stadiumin kombëtar Qemal Stafa. Në Tiranë ndërkohë ka ardhur edhe kombëtarja e Irlandës së Veriut, e cila ka në përbërje futbollistë të Mançesterit, Sandërlendit apo Glazgou Rejnxhërs.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›