E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, MB: 5700 ha tokë ende nën ujë

Nga të dhënat e Ministrisë së Brendshme bëhet e ditur se situata në Shkodër po shkon drejt normalizimin, ndërkohë që nën ujë mbeten edhe një sipërfaqe toke prej 5700 ha, 56 shtëpi të përmbytura dhe 805 shtëpi të rrethuara nga uji.
Edhe ditën e sotme për shkak të nivelit të ujit vijojnë të mbeten të pakalueshme aksi i rrugës së Obotit në Komunën Ana e Malit dhe aksi rrugor Bërdicë-Velipojë tek ura e Gjo Lulit në Shkodër.
Dy akse të tjera rrugore, aksi nga kthesa e Dajçit tek ura e Shirqit dhe aksi i Gorricës në Komunën Ana e Malit janë të kalueshme vetëm nga mjetet e larta. Nga strukturat e ushtrisë në bashkëpunim me Bordin e Kullimit gjatë ditës së sotme po punohet në përforcim argjinaturash me thasë me rërë në Komunën Dajç, fshatrat Daragjat, Shirq, Në Komunën Velipojë, fshati ças, në Komunën Bushat, fshati Ashtë.
"Strukturat e Forcave të Armatosura dhe të Policisë së Shtetit vijojnë të jenë në gatishmëri dhe në ndihmë të banorëve për nevoja evakuimi apo transportimi të banorëve dhe gjësë së gjallë në komunat Dajç, Ana e Malit dhe Bushat", thuhet në njoftimin e shpërndarë sot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›