E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushner në Serbi, normalizoni marrëdhëniet me Kosovën

BEOGRAD- Ministri i Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kushner sot në Beograd është takuar me zyrtarët më të lartë të Serbisë, me të cilët, sipas medieve serbe, ka biseduar rreth integrimeve evropiane dhe përparimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Pas takimit me të, kabineti i presidentit serb, Boris Tadic, përmes një komunikate për gazetarët tha se Franca mbështet anëtarësimin e Serbisë në BE. Pohohet po ashtu se Serbisë nuk do t’i shtohet asnjë kusht shtesë në këtë rrugë.

Siç theksohet, presidenti Tadic ka thënë se Serbia pret që pas dhënies së mendimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do t’i hapet rruga për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe kompromise për Kosovën. Në një intervistë për B92, Bernard Kushner ka thënë se marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën duhet të jenë më të thjeshta dhe në baza miqësore. Ato marrëdhënie duhet të jenë më pak të tensionuara meqë kjo do të lehtësojë të ardhmen e Serbisë në BE, është shprehur Kushner. “Presidenti Sarkozy dhe unë nuk kërkojmë nga Serbia të njohë Kosovën, por kërkojmë të nisë procesi i dialogut, i angazhimit, e relaksimit, normalizimin e marrëdhënieve”, ka sqaruar Kushner.

“Ka shumë njerëz ndër 27 anëtaret që nuk pajtohen me zgjerimin e ri të BE-së. Fundja, kemi një përvojë me një vend të ndarë, Qipron, dhe nuk jemi gati ta përsërisim. Nuk them se ka kushtëzime ose parakusht zgjidhni çështjen e Kosovës, pas Kosovës zgjidhni problemin me Serbinë, jo, por një atmosferë e cila, kur një ditë të bëheni anëtare e BE-së, të mundësojë që këto të rregullohen”, ka thënë Bernard Kushner për B92.

Vetë Kushner, i cili në Beograd për herë të fundit kishte qëndruar në korrik të vitit 2007, para se të shkonte në Serbi, ka deklaruar se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është kusht që ajo të vazhdojë integrimet evropiane. Mirëpo, ka rikujtuar se pavarësia e saj është e pakthyeshme dhe se Serbia duhet t’i zgjidhë problemet që ka me Kosovën.
(m.a/koha/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›