Duro: “Partizani nuk e ka frikë Dinamon”“Ndaj skuadrave të forta, Partizani ka luajtur shumë mirë. Këtu kam parasysh ndeshjet me Vllazninë, Tiranën, Besën e Elbasanit, ku kemi qenë superiorë në lojë, duke marrë ndoshta më pak sesa meritonim. Pr

Me një humbje me katër gola të pësuar nga Tirana dhe më katër lojtarë të pezulluar, ku spikat portieri Kotorri, Dinamo e vendit të tretë me 29 pikë, do të përballet në “Qemal Stafa” me Partizanin e frymëzuar nga fitorja ndaj Bylisit.
Edhe pse nuk ka atmosferën e “finales” së 17 majit të kaluar, kur Dinamo fitoi titullin e 17-të kampion, ndeshja me të “kuqtë” është një test besimi për kampionët në fuqi.
Derbi i dytë radhazi i kryeqytetit ka një lojtar “VIP” në fushë. Mesfushorin sulmues të Dinamos, Elis Bakajn. Ish-lojtari i krijuar në “laboratorin” e Partizanit, do të luajë për herë të parë kundër skuadrës që i dha famën e një prej lojtarëve më të talentuar shqiptarë të pesë viteve të fundit.
Blutë do të jenë pa katër lojtarë titullarë Kotorrin, Brahjan, Poçin e Nikoliçin, por për trajnerin Zlatko Daliç rikthehet kapiteni Arjan Pisha, mungesa e të cilit u ndje shumë në humbjen 2-4 me Tiranën të shtunën e kaluar.
Kroati ka ideuar një formacion tërësisht me detyra ofensive, ku dy sulmuesve të mirëfilltë Sefa e Plaku, i bashkëngjiten argjentinasi Çeko e Elis Bakaj. Dinamo në mungesë së Kotorit, një prej portierëve më të mirë të kampionatit, do të ketë në portë 19-vjeçarin Sulejman Hoxha.
Derbi ka aromë të veçantë edhe për tre blerjet dimërore të Partizanit, Engert Bakallin, Gentian Gjondeda e Rezart Maho, të cilët do të përballen për herë të parë kundër ish-të kaluarës së tyre, pasi më parë mbrojtësi veteran i Partizanit, Luan Pinari, ka luajtur kundër Dinamos.
Trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, pas fitores së merituar me Bylisin në Ballsh, nuk ka dashur të tregohet euforik. “Ndaj skuadrave të forta, Partizani ka luajtur shumë mirë. Këtu kam parasysh ndeshjet me Vllazninë, Tiranën, Besën e Elbasanit, ku kemi qenë superiorë në lojë, duke marrë ndoshta më pak sesa meritonim. Prandaj, Partizani nuk duhet ta ketë frikë Dinamon”, - tha ish-ndihmësi i Oto Bariçit për mediat.
Në ndeshjen e fazës së parë, Partizani humbi me Dinamon me rezultatin 2-0, me gola të Artion Poçit dhe Sebino Plakut.
Dy skuadrat, që sezonin e kaluar e përfunduan si kampionë (Dinamo) e nënkampionë (Partizani) i ndan një diferencë prej 13 pikësh në favor të Dinamos (29 pikë Dinamo, 16 pikë Partizani), por Partizani vjen pas fitores me Bylisin dhe Dinamo pas humbjes së hidhur me Tiranën.
E Marte, 03 Shkurt 2009