E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhori Kule, “Qytetar nderi” i Kukësit

Rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule, është shpallur dje “Qytetar nderi” i Kukësit. Gjatë ceremonisë që përkoi me çeljen e dy departamenteve të reja të filialit të këtij universiteti në qytetin verilindor, rektori Kule u shprehu mirënjohjen Këshillit Bashkiak të Kukësit, por mbi të gjitha, banorëve të tij. “Ky titull është një detyrim i madh për mua dhe për Universitetin e Tiranës, pasi duke më bërë qytetarin më të ri të qytetit tuaj, më obligoni të punoj më shumë për konsolidimin e arsimit të lartë. Kukësi është i destinuar që të ketë studentë nga të gjitha viset shqiptare. Me ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë, ky filial mund të kthehet në mirëpritës të studentëve nga Kosova”, - tha prof. dr. Dhori Kule.

Titulli “Qytetar nderi” iu dorëzua prof. Kules nga kryetari i Këshillit Bashkiak të Kukësit, z. Hajrush Ademi, në ceremoninë ku u çel zyrtarisht edhe viti i ri akademik. Titulli u akordua me motivacionin “Për kontribut të shquar në hapjen e Fakultetit Ekonomik në vitin akademik 2007-2008 dhe të fakulteteve të Gjuhëve të Huaja e të Infermierisë në vitin akademik 2008-2009, në Kukës”.

Kryetari i Bashkisë së Kukësit, z. Hasan Lika, tha se “është një nder për vetë Kukësin që të ketë qytetar nderi prof. Kulen”, - ndërkohë që shtoi për “standard” se përzgjedhja e kandidatëve për “Qytetar nderi” është proces i vështirë dhe se prof. Kule i plotësonte të gjitha kriteret, duke marrë edhe unanimitetit, pa ngjyra politike, të të gjitha votave të anëtarëve të Këshillit Bashkiak.

Deputeti i zonës, z. Fatos Hoxha, tha se “puna e prof. Kules për zhvillimin e arsimit në Kukës, është e lavdërueshme” dhe se “me autostradën që po përfundon, Kukësi do të mund të kthehet në një qendër të rëndësishme jo vetëm të Veriut të Shqipërisë, por edhe më gjerë”, duke treguar synimin e bashkëpunimit më të gjerë me viset kufitare të Prizrenit.

Në ceremoni ishte i ftuar edhe deputeti i Vlorës, ish-ministri Bujar Leskaj, i cili vlerësoi punën e prof. Kules për përmirësimin e kushteve arsimore dhe për krijimin e mundësisë që zona verilindore e vendit, si pikë lidhëse me Kosovën dhe Maqedoninë, të ketë universitetin e tij.

Më pas, prof. Kules iu dorëzua në mjediset e Bashkisë së Kukësit, nga kryetari z. Hasan Lika edhe simboli i qytetit, që përmban stemën e punuar në mënyrë artizanale. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe zëvendësrektori, z. Nonda Varfi, dekani i Fakultetit të Infermierisë, z. Petrit Bare, dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, znj. Klodeta Dibra, kryetari i Bashkisë së Sarandës, z. Edmond Gjoka, si edhe zëvendësdekanë, pedagogë e studentë të Universitetit të Tiranës.

Këtë vit, në filialin e UT-së në qytetin e Kukësit, u çelën dy departamente të reja, ai i Infermierisë dhe i Anglishtes, ndërkohë që një vit më parë, universiteti kishte hapur dyert për herë të parë me degën Ekonomik.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›