E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strasburgu, Shqipërisë: 610 mijë euro për familjet Rramadhi e Driza

Shteti shqiptar detyrohet t’u paguajë dy familjeve Rramadhi nga Kavaja e Driza nga Tirana 610 mijë euro dëm pasuror dhe jopasuror, ndërkohë që rrezikon edhe 400 mijë euro, nëse nuk ekzekuton vendimin tre muaj nga shpallja e tij. Ky vendim është marrë nga Gjykata e Strasburgut, e cila ka gjetur shkelje në ankimet e dy familjeve për cenim të pronësisë. Lidhur me këto dy raste dhe të tjera që kanë përfunduar apo janë në pritje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin e Evropës, organizoi dje konferencën me temë: “Çështje të zbatimit të nenit 1 të Protokollit të Parë Shtesë dhe nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, parë në këndvështrimin e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për vendin tonë”. Organizimi i këtij aktiviteti u pa i domosdoshëm pas daljes së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut me vendim për çështjet: “Driza kundër Shqipërisë”, “Rramadhi kundër Shqipërisë” dhe “Dybeku kundër Shqipërisë”. Në këto tre vendime, Gjykata e Strasburgut ka konstatuar shkelje të nenit 1 të Protokollit të Parë Shtesë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, konkretisht cenim të pronës dhe shkelje të nenit 3 të Konventës ku bëhet fjalë për ndalim të torturës dhe trajtimeve çnjerëzore, degraduese, duke kërkuar nga shteti shqiptar të marrë masa të menjëhershme për vendosjen e standardeve të kërkuara nga Konventa në zbatim të neneve në fjalë. Takimin e ka përshëndetur ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, si dhe agjenti i qeverisë polake në Gjykatën Evropiane, Jakub Wolasiewicz, ndërkohë që të pranishëm kanë qenë përfaqësues nga sektorë të ndryshëm si Avokatura e Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ekspertë nga Këshilli i Evropës, Shoqata e Prokurorëve etj.

Çështja “Rramadhi kundër Shqipërisë”

Çështja “Rramadhi kundër Shqipërisë” ka pasur si palë ankuese në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut gjashtë pjesëtarë të kësaj familjeje dhe është regjistruar më 9 tetor të vitit 2002. Ankuesit Shyqyri, Remzi, Rabije, Xhemile, Dilaver e Nakib Rramadhi pretenduan për shkelje të nenit 6 e 1 të Konventës, nenit 13 dhe nenit 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës për shkak se autoritetet shqiptare kishin neglizhuar në zbatimin e vendimeve të dhëna në bazë të Aktit të Pronësisë dhe ligjit të tokës. Ankuesit, të gjithë të moshuar, kanë lindur dhe jetojnë në Kavajë dhe Durrës në Shqipëri. Sipas tyre, në kohën e regjimit komunist disa parcela toke dhe dy dyqane, pronë e babait të ankuesve u konfiskuan nga autoritetet shqiptare pa u kompensuar në vlerë. Prona, me një sipërfaqe në total prej 46.000 m2 tokë dhe 150 m2 dyqanet, të cilat ndodheshin në zonën e Kavajës. Pas ardhjes së demokracisë në vend, familja Rramadhi nga Kavaja kërkoi në bazë të ligjit “Për kthimin e kompensimin e pronave” një kërkesë, duke kërkuar rikthimin e pronës në bazë të Aktit të Pronësisë. Nga komisioni, pronarëve të vjetër iu kthye një pjesë e pronës, ndërsa pjesa tjetër do iu kompensohej. Me gjithë vendimin e marrë 12 vjet më parë nga ky komision, pronarët nuk mundën të merrnin dy dyqanet dhe sipërfaqen e kthyer prej 5.500 m2. Më pas, pati vendime të tjera gjyqi për shkak të njohjes së pronësisë për disa prona të tre nga gjashtë pronarëve, me pretendimin se tre prej tyre nuk jetonin më në Kavajë, pra nuk ishin më rezidentë në tokën bujqësore që kërkohej t’u kthehej. Për të gjithë arsyet e mësipërme, lidhur me dëmin e shkaktuar, për sa i përket dëmit material, ankuesit kërkuan 590.000 euro për parcelat e tokës me një sipërfaqe totale pre 36.000 euro metri katror dhe 65.000 euro për dyqanet. Në përllogaritjen e këtyre shumave, ankuesit patën parasysh vlerën aktuale të tregut të pronave, pra 2 mijë euro metri katror për tokën dhe 2.200 metri katror për dyqanet. Ndërkohë që lanë në çmimin e gjykatës përllogaritjen e normës së interesit për periudhën gjatë së cilës autoritetet nuk mundën t’u paguanin atyre kompensimin. Gjithashtu, kërkuan edhe 12.000 euro dëmshpërblim për dëmin jomaterial. Në përfundim të shqyrtimit të ankesës, gjykata i dha të drejtë familjes Rramadhi për problemet që patën në cenimin e pronësisë, ndërkohë që vendosi t’u caktojë bashkërisht ankuesve një shumë totale prej 64 mijë eurosh për dëmin pasuror dhe jopasuror, lidhur me parcelën e tokës me sipërfaqe 5.500 m2 dhe 150 m2. Më tej, gjykata u cakton tre ankuesve të parë një shumë totale prej 25 mijë eurosh së bashku me kthimin e parcelës së tokës më sipërfaqe 30.500 m2. Në rast të moskthimit të parcelës së tokës nga shteti brenda 3 muajve nga data që ky vendim bëhet përfundimtar, gjykata vendos që shteti t’u paguajë së bashku tre ankuesve të parë një shumë prej 120.000 eurosh për dëmin pasuror lidhur me këtë pronë.

Çështja “Driza kundër Shqipërisë”

Kjo çështje ka si ankues shtetasin Ramazan Driza dhe u regjistrua më 4 shtator 2002. Ky shtetas u ankua në veçanti për shkelje të nenit 6 e 1 në disa aspekte dhe për dështimin e vendimit të formës së prerë dhe në përputhje me nenin 13 të Konventës, ai pretendoi se nuk kishte mjete juridike efektive në dispozicion në lidhje me ankimin që kishte bërë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Shtetasi Driza jeton në Tiranë dhe i është drejtuar gjykatës për një çështje prone. Para luftës, babai i tij kishte një furrë buke në kryeqytet, si dhe një parcelë toke prej 6.000 m2. Në vitet 1960, shteti ia shkatërroi ndërtesën dhe i shtetëzoi tokën. Në vitin 1994, Gjykata e Tiranë s’i ktheu këtij shtetasi të drejtën e pronës, vendim që mori formën e prerë më 11 tetor 1994. Por, në kushtet kur kthimi në natyrë i kësaj prone ishte i pamundur, Këshilli Bashkiak vendosi t’i njohë Drizës të drejtën e kompensimit për ish-pronën me një pronë të të njëjtit lloj. Prona gjendej 2 km larg qendrës së Tiranës. Ajo kishte një sipërfaqe prej 5 mijë m2 dhe ndahej në 2 parcela. Ky vendim i Këshillit Bashkiak u la në fuqi edhe nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, duke iu regjistruar ky titull pronësie këtij shtetasi në ZRPP. Mirëpo, në vitet 1996-1997, nga Këshilli Bashkiak dhe Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë u dhanë një sërë vendimesh mbi pronësinë e dy parcelave që iu dhanë Drizës, duke e bërë të pamundur që ky shtetas të rimerrte pronat prej poseduesve të tyre. Kalvari i proceseve gjyqësore në gjykata vazhdoi gjatë për këtë shtetas. Për të gjithë këto, ankuesi Driza pretendoi para Gjykatës Evropiane kthimin e plotë të dy parcelave të tokës me sipërfaqe 5 mijë m2, si dhe 186 mijë euro për fitimin e munguar. Meqenëse kthimi i ish-tokës së tij ishte i pamundur, ai pretendoi në lidhje me 5.779.000 euro për sa i përket dëmit pasuror dhe fitimit të munguar. Sipas një raporti të paraqitur prej tij nga disa ekspertë, prona që ai kishte ndodhej në një zonë shumë të zhvilluar urbane në Tiranë. Gjithashtu, Ramazan Driza pretendoi edhe 70.000 euro për dëmin jopasuror. Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, gjykata vendosi duke iu referuar informacionit të disponueshëm sipas vlerësimit të ankuesit në lidhje me çmimet e tregut të tokës në Tiranë, gjykata i jep ankuesit 500.000 euro për sa i përket dëmit pasuror dhe jopasuror në lidhje me parcelën e madhe të tokës. Gjithashtu, gjykata i jep ankuesit shumën totale prej 50.000 eurosh së bashku me kthimin e parcelës së vogël të tokës. Nëse shteti i paditur, në këtë rast Shqipëria, nuk i kthen këtë parcelë ankuesit brenda tre muajve nga vendimi përfundimtar, atëherë shteti detyrohet t’i paguajë Ramazan Drizës edhe 280.000 euro për sa i përket dëmit pasuror dhe jopasuror në lidhje me këtë parcelë.

Shteti u detyrohet dy familjeve:

Për familjen Rramadhi

60.000 euro

120.000 euro nëse nuk ekzekuton vendimin brenda 3 muajve

Për shtetasin Ramazan Driza

550.000 euro

280.000 euro nëse nuk ekzekuton vendimin brenda 3 muajve

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›