Duro: Skënderbeu i etur për trofe! Por Tirana kërkon të rikthehet
Do të jetë një sfidë mes dy skuadrave të uritura. Skënderbeu që kërkon trofeun e tretë në histori dhe Tirana që kërkon trofeun e konfirmimit pas kësaj vere të zhurshme për të. Nëse në Korçë janë të uritur për më shumë, në Tiranë janë të uritur për të gjetur atë hap gjigant që shkatërronte kundërshtarët. Por veç skuadrave, janë edhe qytetet në “luftë”. Tifozët e Tiranës nuk po e durojnë dot fodullëkun e korçarëve, ndërsa këta të fundit nuk e durojnë dot shpërfilljen që u bëhet skuadrës së tyre kampione.
Sidoqoftë, ajo që nuk lëviz një presje është uria për tituj. Me këtë bindje, trajneri i skuadrës korçare Shpëtim Duro pret sfidën e parë të rëndësishme të sezonit të futbollit shqiptar kundër Tiranës. Tekniku shprehet se ky trofe nuk ka vlerën e titullit kampion, por është i rëndësishëm për të nisur në mënyrën më të mirë sezonin e ri, ku Skënderbeu do të ketë detyrën e vështirë për të ruajur kurorën e Superligës. “Kjo është një ndeshje e rëndësishme për sezonin e ri, e barabartë me një trofe, pavarësisht se nuk është në rëndësinë e kampionatit dhe të Kupës së Shqipërisë, është një trofe dhe për skuadrën shqiptare është shumë e rëndësishme, sepse është një skuadër e etur për trofe dhe normalisht kërkon ta fitojë këtë kupë pas kampionatit”-tha Duro. Sa i përket ndeshjes, trajneri kryeqytetas i bardhekuqve thotë se të dyja skuadrat paraqiten me shanse të barabarta, megjithëse fakti që ndeshja luhet në Korçë favorizon disi vendasit. “Kemi një lloj shansi më shumë sepse luajmë në stadiumin tonë, por kjo nuk është gjithçka sepse është një finale dhe shanset janë të barabarta, si për ne, ashtu edhe për Tiranën. Sikur ne të luanim në Tiranë. Nuk shihen këto diferenca, normalisht kur ke skuadra të mira, por kur është një takim i vetëm”-theksoi ai. Skënderbeu vazhdon përgatitjet në prag të finales së Superkupës, ndërsa Shpëtim Duro do të ketë në dispozicion të gjithë futbollistët e tij në ndeshjen e së enjtes.
Nga ana tjetër qëndron Tirana, që është përballur me një numër të madh largimesh dhe afrimet e fundit nuk është se kanë bindur shumë dashamirësit e bardhebluve. Megjithatëm, trajneri spanjoll Rubio Sanchez është i bindur se mund të shkaktojë befasinë në Korçë. “Ata luajnë në fushën e tyre dhe janë kampionët në fuqi. Megjithatë ne duam ta fitojmë këtë kupë. Për mua personalisht do të ishte starti më i mirë i mundshëm,” ka deklaruar ish-trajneri i Albasetes.