E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan zbulohet mozaiku paleokristian

Bazilika i përket shekullit të 6-të në periudhën paleokristiane dhe aty mendohet se shtrihej një lagje e pasur romako-bizantine

Në qytetin e Elbasanit ka nisur puna për zbulimin e mozaikut dhe bazilikës së Bezistanit. Aktualisht një grup arkeologësh janë përqendruar në gërmimet pranë kishës, ku sërish janë zbuluar fragmente mozaiku. Ndërsa grupi tjetër është duke punuar për të riparuar dhe konservuar pikturat murale të dëmtuara rëndë gjatë dy viteve të fundit, për shkak të mosruajtjes dhe lënies pas dore të mozaikut. Pikturat murale në mozaikun e Elbasanit cilësohen unike në llojin e tyre dhe janë të vetmet e ndoshta nga më të rrallat në Ballkan. Ato do të dërgohen në Tiranë, do të riparohen dhe më pas do të sillen sërish në Elbasan, kur bazilika të jetë zbuluar tërësisht dhe kur mozaiku të jetë mbuluar.

Gjatë ditëve të para të gërmimit nuk kanë munguar edhe surprizat. Kështu arkeologët kanë zbuluar një pjesë tjetër të mozaikut, më lart se i pari, objekte paleokristiane, elemente dekorative, qeramikë të periudhës paleokristiane etj. Sipas tyre, zbulimi i plotë do të prezantojë para vizitorëve një kompleks unikal, një bazilikë me të gjitha elementet e saj, që e krahasonte Elbasanin e kohës me Ravenën në Itali. Në një farë mënyre specialistët shprehen se bazilika e Elbasanit tregonte dominancën mes dy perandorive në kohën paleokristiane, mes Romës dhe Bizantit, ndaj edhe ajo ka qenë më e bukura e kohës dhe më e madhe sesa e Durrësit. Elemente të madhështisë së saj janë dekoracionet e mozaikut, të cilat përmbajnë 18 ngjyra të gurëve prej qelqit, krahasuar me 10 të tillë që ka ajo e Durrësit.

Bazilika i përket shekullit të 6-të në periudhën paleokristiane dhe aty mendohet se shtrihej një lagje e pasur romako-bizantine. Arkeologët që po merren me zbulimin e saj nuk tregohen të gatshëm të njoftojnë publikun për surprizat, ndonëse interesi është tepër i madh. Qytetarë elbasanas shprehën rezerva lidhur me mungesën e transparencës e madje disa prej tyre dyshojnë në korrektësinë e elementeve që po zbulohen. Zbulimi i bazilikës është pjesë e projektit për rregullimin e qendrës historike të Elbasanit. Paralelisht ka nisur puna edhe për rindërtimin e vijës Egnatia që kalon në mes të lagjes Kala. F.S

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›