Duro: Vllaznia? Partizani nuk humbet asgjë
Trajneri Shpëtim Duro ndihet në një pozicion të vështirë, pasi nuk ka kontigjent të mjaftueshëm
Sot të kuqtë do të luajnë në stadiumin "Loro Boriçi" dhe "demat" e dinë shumë mirë se vendasit janë shumë më të favorizuar se ata, por duke ditur se nuk kanë çfarë të humbasin do të mundohen të japin më të mirë dhe të shpresojnë të marrin diçka. Sipas trajnerit Duro, më frikëshme ka qenë përballja me Lushnjën, pasi duhej fitorja me patjetër sesa takimi i sotëm e Vllazninë. "Për mua, e frikshme ishte ndeshja me Lushnjën, pasi kishim përballë një kundërshtar direkt ku dhe duheshin pikët e plota. Ndërsa takimi me Vllazninë është një përballje shumë e vështirë, pasi dihet se shkodranët janë rivali kryesor për fitim e titullit kampion. Normalisht, shkodranët janë të favorizuar në të gjitha aspektet ndaj Partizanit, si në pozicionin e klasifikimit, si në ambientin që do të jetë sot në "Loro Boriçi". Por shpresoj që kjo ndeshje të ketë rivalitet, ashtu siç kanë qenë historikisht këto dy skuadra, pavarësisht nga pozicioni i klasifikimit. Sigurisht, ne nuk humbim gjë në Shkodër, por ne do të bëjmë detyrën tonë, duke dhënë maksimumin për të përfituar diçka ndaj një skuadre pretendente për titull,"- u shpreh dje për mediat trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro.
Në dimër, jo gabimet e verës. Momentalisht te Partizani kanë filluar largimet e lojtarëve, ku i pari është deklaruar Elis Bakaj. Trajneri Duro e shikon normale lëvizjen e futbollistëve sipas rregullave, por kërkon që të larguarit të zëvendësohen. "Për mua si trajner nuk është mirë kur largohet një forcë reale, siç është Bakaj, por këto janë situatat. Kjo është lëvizja e lirë e futbollistëve në bazë të kushteve kontratuale, por në dhjetor duhet që largimi i lojtarëve të mos ndodhë ashtu siç ndodhi në fillim të sezonit, ku ikën shumë lojtarë dhe nuk u zëvendësuan në momentin e duhur. Pra, në fund të dhjetorit duhet që Bakaj, apo dikush tjetër që mund të largohet, të zëvendësohen,"- vijon trajneri Duro.
Bakaj të respektojë fanellën e kuqe. Trajnerit Duro nuk i vjen mirë që humbet shërbimet e një lojtari si Elis Bkaj, por kërkon që ai ta respektojë fanellën e Partizanit deri në ditën e fundit. "Besoj se për largime nuk flitet vetëm te Partizani, pasi kur vjen periudha e merkatos te të gjithë ekipet ka zëra për afrime dhe largime lojtarësh. Edhe Bakaj e ka pranuar vetë se do të largohet në janar nga Partizani, por dua që deri në fund të dhjetorit ai ta respektojë fanellën e Partizanit dhe të japë maksimumin," - u shpreh trajneri i të kuqve.
Xhani premton përforcime. Sipas trajnerit Duro, dje ai ka pasur një bisedë të gjatë me presidentin Xhani, i cili i ka premtuar se do të bëjë maksimumin që të ruajë grupin dhe ta përforcojë me disa elementë të nevojshëm. "Për sa u përket largimeve të tjera, përveç Bakajt, nuk mund të flas me saktësi, por dua të them se sot (dje) kam pasur një bisedë të gjatë me presidentin Xhani, ku pavarësisht krizës së përkohshme, ai është optimist dhe kërkon që ta mbajë me insistim grupin, si dhe kërkon të përforcojë skuadrën në janar edhe me elementë të tjerë. Por gjithçka do të varet se si do të ecet deri në fund të këtij viti, pasi vëshirësitë më të mëdha janë për mua, sepse nuk kam kontigjent të mjaftueshëm për të shkuar deri në merkaton e janarit,"- përfundoi deklarimin e tij për mediat trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro.