E Diel, 1 Nëntor 2026

Duro debuton me Apollonin në miqësoren me Hapoel Tel-Aviv

Klodian Duro ka debutuar me Apollon Limasolin në miqësoren që skuadra qipriote zhvilloi në Austri kundër izraelitëve të Hapoel Tel Aviv. Takimi përgatitor ka përfunduar në barazim 1-1, ndërsa mesfushori i kombëtares shqiptare u aktivizua si zëvendësues në pjesën e dytë. Duro i është bashkuar skuadrës së drejtuar nga trajneri gjerman, Tomas van Hesen, vetëm pak ditë më parë, pas pushimeve të gjata (edhe sepse ishte në muaj mjalti). Testi i parë ka qenë mjaft pozitiv, duke pasur parasysh se forma fizike e elbasanasit nuk ka qenë optimale. Sot Duro pritet të jetë sërish në fushën e lojës, në miqësoren e radhës që Apolloni do të luajë kundër bullgarëve të Slavias së Sofies. Testet miqësore vlerësohen si shumë të rëndësishëm për stafin teknik te klubit nga Limasoli, pasi aty do të ravijëzohet formacioni titullar për edicionin e ardhshëm dhe skemat që i përshtaten më mirë lojtarëve. Për të marrë shërbimet e Duros, Apolloni mposhti konkurrencën e AEL-it.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›