E Diel, 1 Nëntor 2026

Duro “tremb” Danimarkën: “Nuk jemi me 1 prill”Mesfushori: “Nuk hyjmë në lojë me kujtimet e humbjes 3-0 në Kopenhagen”

Publikoje ne:

Mesfushori Klodian Duro është një nga lojtarët më me përvojë në listën “Kuzhe”, një nga ata që trajneri kroat beson shumë në cilësitë e “polivalentit” të gjysmëfushës ofensive. Lojtari Apollon Limasolit në Qipro beson se ndaj Danimarkës, Shqipëria nuk hyn në lojë me kujtimet e humbjes 3-0 në sfidën e Kopenhagenit. 

“Danimarka është një ekip që kërkon impenjim të madh, sepse jo më kot është kryesuesja e grupit. Ata janë një skuadër e organizuar, por ne mund t’ia dalim mbanë. Ndryshe nga përballja e fundit me ta ku humbëm 3-0, por në fakt zhvilluam edhe një lojë të dobët, Shqipëria këtë herë ka ndryshuar shumë. Me ardhjen e trajnerit Kuzhe, skuadra funksionon më mirë dhe vetëbesimi është rritur, sidomos pas fitores fantastike me Qipron. Shqipëria tani ka dalë jashtë objektivave që kishte këtë edicion, por gjithsesi, mendoj se kemi motivimin e duhur për të marrë një rezultat pozitiv”, - tha Duro në konferencën e djeshme për shtyp, të mbajtur në rezidencën e Kombëtares.

Kundër Qipros, Klodi pavarësisht se nuk realizoi nga pika e bardhë, kur rezultati ishte 3-1 për Shqipërinë, bëri një ndeshje shumë të mirë. “Në qendër të mesfushës unë arrij të jap gjithnjë maksimumin tim. Është roli ideal për mua, ndonëse shpesh herë më është dashur të sakrifikoj për hir të skuadrës. Unë jam i gatshëm të luaj në çdo pozicion që kërkon trajneri, por nuk mund ta mohoj se në qendër të mesfushës mund të bëj më shumë”, - tha mesfushori i Apollon Limasolit.

“Nuk duhet kurrsesi të varim shpresat te rezultati i Danimarkës me Portugalinë (të shtunën, më 5 shtator). Ne duhet të bëjmë lojën tonë dhe të jemi të qetë në këtë sfidë, ashtu sikurse edhe në dy ndeshjet e fundit. Vetëm kështu mund t’ia dalim. Për më tepër mendoj se edhe nëse Danimarka mundet, atëherë presioni do të jetë mbi ata dhe jo mbi ne, pasi do të kërkojnë patjetër fitoren. Gjithsesi, llogaritë bëhen në fushë dhe jo jashtë saj. Detyra jonë është që të punojmë dhe të gjejmë mënyrën e duhur për të marrë një rezultat pozitiv. Më tepër se sa një lojë e mirë, këtë herë dëshiroj me çdo kusht një rezultat pozitiv. Kjo do të na ndihmonte shumë”, - përfundoi Duro.

E Enjte, 03 Shtator 2009
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›