E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërhyrja “vrasëse”, 10 javë dënim për Vitsel

Ka nga ata që janë të indinjuar nga ndërhyrja e Aksel Vitsel në dëm të Marcin Vasilevskit, ka nga ata që bëjnë thirrje kundër skualifikimit (Standard Liezhi), ka nga ata që duhet ta mbrojnë lojtarin prej kërcënimeve me vdekje (policia). Në Belgjikë janë të ndarë në lidhje me rastin Vitsel-Vasilevski, “xhelati” dhe “viktima” e një ndërhyrjeje, si pasojë e së cilës polaku ngeli i dëmtuar me dy thyerje në këmbën e djathtë.

Federata belge e ka marrë shumë shpejt vendimin: skualifikim deri në 23 nëntor për Vitsel, ose 10 javë në kampionat, me detyrimin për të dorëzuar dosjen edhe në UEFA, gjë që ndoshta mund të sjellë dënim edhe për ndeshjet e Ligës së Kampinëve.

Aksel Vitsel, mesfushori 20-vjeçar i Standardit të Liezhit, i votuar si futbollisti më i mirë i kampionatit belg vitin e kaluar dhe nën vëzhgimin e disa klubeve të mëdha, mbrohet: “E pranoj skualifikimin, por ata që më njohin, e dinë që nuk e bëra me qëllim. Sa më parë që të mundem, do të shkoj ta takoj Vasilevskin në spital për t’i kërkuar të falur.” Nga ana tjetër polakut do t’i duhet të kryejë dy operacione dhe të paktën 10-12 muaj larg fushave deri në një rikuperim të plotë, ashtu si me brazilianin e Arsenalit Eduardo. Standardi ka apeluar kundër skualifikimit dhe gjithashtu Vitsel duhet të paguajë edhe 2500 euro gjobë. Por ai duhet të bëjë edhe me thirrjet në kor të tifozëve të Anderlehtit: “Vrasës, vrasës!”.
 
Megjithatëmund të kishte shkuar edhe më keq se kaq. Rastet e ngjashme nuk kanë munguar në të kaluarën. Më i freskëti është ai i Eduardos. Por ka edhe nga ato raste që kanë përfunduar në gjykatë. Pak më shumë se një vit më parë, gjykata në Hollandë dënoi me gjashtë muaj burg dhe 100 mijë euro gjobë marokenin Rashid Buauzan, autorin e një faulli vrasës (në të cilin qëllimi për të bërë keq ishte më i dukshëm) ndaj Nils Kokmajer, i cili e mbylli karrierën pas këtij dëmtimi.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›