Durrës – Një viktimë nga moti me reshje, 43-vjeçari bie në kontakt me rrymën elektrike

Nga moti i keq me reshje të dendura që përfshiu vendin kryesisht gjatë orëve të natës, një person humbi jetën, ndërsa disa rrugë u përmbytën.
Në Durrës, një 43-vjeçar dyshohet se ra në kontakt me rrymën elektrike duke kaluar në rrugën e përmbytur në lagjen nr. 6 të qytetit. 43-vjeçari ishte në rrugë duke ecur dhe duke iu shmangur pellgjeve me ujë, kur u mbajt tek një shtyllë e tensionit të lartë, e cila dha shkarkesë elektrike, duke i shkaktuar vdekjen.
Grupi hetimor është duke punuar për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, ndërkohë që edhe ekipi i emergjencave civile dhe zjarrfikëses kanë nisur punën për të larguar ujin nga zonat më të prekura.
Në Lezhë kanalizimet nëntokësore nuk e kanë përballuar nivelin e prurjeve dhe ujërat kanë dalë në sipërfaqe, duke sjellë përmbytje në bllokun e banimit “11 Janari” të lagjes “Besëlidhja”. Ndërkohë punonjësit e shërbimeve publike ndodhen në terren prej orëve të mëngjesit dhe po ndërhyjnë për zhbllokimin e pusetave me qëllim largimin e shpejtë të ujërave.
Edhe në Vlorë ka pasur probleme në disa akse të qytetit. Përmbytje ka pasur në rrugën “Hasan Kushta”, rruga tek Kisha dhe disa rrugica në lagjen “24 Maji”.
/rtsh.al/