Durrës- Akuzohet se vrau një 59-vjeçar, në pranga autori

Një 42-vjeçar është vënë në pranga në Durrës, i dyshuar si autor i vrasjes nga pakujdesia, pas një konflikti për motive të dobëta që përfundoi me humbjen e jetës së një 59-vjeçari.
Ngjarja ndodhi më 13 prill 2026, në lagjen nr. 18 të qytetit, ku shtetasi G. K., 42 vjeç, goditi me grushte shtetasin S. M., 59 vjeç. Ky i fundit humbi ndjenjat, ra në asfalt dhe më pas ndërroi jetë.
Fillimisht u raportua se viktima kishte humbur jetën për shkaqe natyrale, por pas veprimeve intensive hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, u provua se vdekja nuk ishte pasojë e arrestit kardiak, por e goditjes së marrë gjatë konfliktit.
Specialistët për hetimin e krimeve ndaj personit në DVP Durrës ndaluan autorin e dyshuar për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe materialet procedurale janë referuar për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/