E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë, arrestohet 62-vjeçari, iu gjet në banesë arsenal armësh dhe municione

Një 62-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Lezhë, pasi mbante pa leje armë zjarri, municion dhe mjete shpërthyese. Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia sekuestroi një armë automatike me tre krehëra, 414 fishekë luftarakë, gjashtë granata difensive dhe pesë ndezëse detonatorësh të unifikuar.

Operacioni policor i koduar “Befasia” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, pas informacioneve operative se shtetasi L. J., banues në fshatin Markatomaj, dispononte armë dhe municion pa leje.

Në vijim të veprimeve procedurale, 62-vjeçari u arrestua për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›