Durrës – Reshjet për 16 orë pa pushim shkaktojnë probleme në qytet

Reshjet e shiut nisën në Durrës natën e kaluar rreth orës 21.00 dhe kanë vazhduar pa ndërprerje gjatë gjithë paradites së djeshme. Rrugët dhe kryqëzimet e bllokuara nga ujërat kanë detyruar një pjesë të qytetarëve të mos dalin nga banesat e tyre. Burime zyrtare nga Drejtoria arsimore rajonale bënë të ditur se në shkollat e mesme “Olsi Lasko” dhe “Beqir Çela”, në Shkozet, si dhe në shkollën 9-vjeçare të qytezës së Sukthit, dje nuk është zhvilluar procesi mësimor për shkak të oborreve të mbushura me ujë. Në disa shkolla të tjera të qytetit mësimi u zhvillua me orë të shkurtuara për shkak të numrit të vogël të nxënësve që u paraqitën në mësim. Dje në mesditë disa nga kryqëzimet kryesore të qytetit ishin ende të bllokuara nga ujërat, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe të kalimtarëve. Probleme ka pasur edhe në zonat periferike të plazhit dhe Shkozetit, ku një pjesë e banesave janë bllokuar nga ujërat. Më e mirë ka qenë situata në port, ku tre tragetet e radhës mbërritën nga Bari sipas grafikut të parashikuar. Anijet e tonazhit të mesëm dhe të madh kanë lundruar pa probleme, ndërsa motopeshkatoret vazhdojnë të jenë të bllokuara për shkak të motit të keq. Reshjet e shiut kanë penguar edhe përpunimin e anijeve tregtare të ankoruara në kalatë....