E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Rama përpjekje donkishoteske, do të kthejë në pushtet neobllokmenët

SHKODËR- Kryeministri Sali Berisha mori sot pjesë inaugurimin e rikonstruksionit të rrugës Rr. Nacionale – Vukatane; Komuna Guri i Zi, Shkodër, një investim me vlerë 106,570,607 lekë dhe gjatësi 3,8 km. Banorët e fshatit Vukatane do të përfitojnë nga rruga e re e ndërtuar nga FSHZH për t’u lidhur me rrugën nacionale Shkodër – Vau i Dejës dhe më tej qendrën e komunës së Gurit të Zi. Kjo rrugë është financuar nga Banka e Këshillit të Europës dhe Qeveria Shqiptare.

Berisha u zotua para këtyre banorëve se do bëjë gjithçka që ata të ndjehen qytetarë aty ku ata jetojnë.

“Zotimi ynë është të ndërtojmë në çdo fshat infrastrukturën moderne të lagjeve të qyteteve tona. Fëmijët e tyre të shkollohen në shkolla moderne, me internet. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që fermerët të begatohen gjithnjë e më shumë, të fitojnë më shumë. Ndaj edhe sot vijmë këtu dhe kudo me zotimin tonë se, do ndërtojmë çdo km rrugë në të 4 anët e vendit, çdo shkollë e ujësjellës, gjithçka që ju të ndjeheni qytetar aty ku jetoni”, tha Berisha.

Edhe nga Shkodra, Berisha sulmoi alternativën e majtë, ndërsa ftoi qytetarët të ecin së bashku drejt Europës, duke lënë në autobusin mavi Ramën, siç tha ai. Sipas kryeministrit Rama po përpiqet të kthejë në pushtet neobllokmenët.

“ Në 4 vitet që do vijnë do bëhet e mundur hapja e negociatave dhe marrja e statusit, do arrijmë nivele shumë të larta zhvillimi e begatie, do ndërtojmë një të ardhme që nuk e kemi pasur. Krahun tjetër e keni parasysh vetë çfarë përfaqëson shpifje e trillime, një autobuz shtegtar me xhama të zinj që nuk lejon të shihet asnjë realitet. Një përpjekje donkishoteske për të rikthyer neobllokmenët në pushtet, për të rilindur pushtetarët e bllokut në Shqipëri”, tha ai.

Ai u shpreh më tej se, “A e dëgjuat shokun e autobuzit, po u bëj be tha se nuk do ju tradhtoj më. Dëgjoni vëllezër, le ta lëmë në autobus, ne të ndërtojmë rrugë më të mira, ai të ecë me autobusin mavi, derisa ti bëhet mavri, ne të ecvim drejt rrugës së Europës”.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›