E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, 170 pronarë legjitimojnë banesat informale, në pritje edhe 37 mijë të tjerë

Mbi 170 pronarë në Durrës janë pajisur me tapitë e ndërtimeve, të cilat ishin të paligjshme. Këta janë pronarët e parë në Durrës që pajisen me këto certifikata, pasi Agjencia e Legalizimeve ka vijuar shpërndarjen e certifikatave të pronësisë për banorët e qytetit të Durrësit, pikërisht ditën e djeshme. Të pranishëm në ceremoninë e ndarjes së tapive ishin deputetë të Durrësit, krerë të pushtetit vendor si dhe kreu i Aluiznit, Shaban Memia, i cili tha se në qarkun e Durrësit janë mbi 37 mijë objekte informale, nga këto 22 mijë objekte janë azhornuar, gati për shlyerjen financiare. Kreu i Aluiznit Shaban Memia, tha gjithashtu se paketa e detyrimeve financiare është 30 për qind më e ulët, se çmimi i tregut, ndërsa pohoi se në këtë proces është përfshirë edhe kompensimi i pronarëve me çmimin e tregut. Në prefekturën e Durrësit janë deklaruar 37 mijë objekte informale, që zënë një sipërfaqe prej 3.8 milion metra katror, kundrejt një vlerë 2 miliard dollarësh, të cilat janë në pritje për tu legalizuar. Për 70 për qind të aplikimeve është bërë azhornimi, ndërkohë që janë të gatshme për qytetarët 22 mijë leje legalizimi. Aktualisht në Durrës janë gati për të afruar certifikatë pronësie për pronarë të objekteve 230 dosje, ndërsa 2340 dosje të tjera presin vetëm kuponin e arkës. Tapitë e para do të shpërndahen për ato objekte në Kënetë, të cilat shtrihen në zonën e Co-Planit si dhe disa shtesa pallatesh horizontale e vertikale në qyte. Po ashtu edhe Fushë Kruja sot do të certifikojë nisjen e shpërndarjes së tapive për objektet e ndërtuara në ish zona informale për 35 familje. Dosjet e para mësohet se kanë të bëjnë me objekte ndërtimi që shfrytëzohen si shtëpi banimi dhe fare pak lokale në mesin e tyre. Por nënprefektura e Krujës, sipas Ilir Dervishit, ka ecur me hapa të kënaqshëm në muajt e fundit dhe se ka interesim për të paguar faturën. Fushë- Kruja ka gati 313 dosje dhe nga dita në ditë ato mund të kalojnë në hipotekë porsa qytetari të dorëzojë mandatin e pagesës sipas ligjit. Në nënprefekturën e Fushë-Krujës janë depozituar afro 4170 dosje për legalizim dhe kryesisht në qytezën e Fushë Krujës, në Krujë, Cudhi, Bubq, Nikël e Thumanë. Drejtori i Aluiznit në Durrës, Andi Lila dhe ai në nënprefekturën e Krujës Ilir Dervishi kanë pohuar se më datë 10 prill do të fillojë shpërndarja e lejeve të legalizimit në të gjitha komunat e bashkitë e qarkut, proces që do të mbyllte në fund të muajit maj. Sapo qytetari të paguajë tarifën e detyruar, ai do të bëhet pronar legal i objektit që mund të jetë shtëpi apo edhe lokal biznesi. Durrësi ka 6 zona informale. Ato janë: Zona e ish Kënetës me 700 ha dhe 9329 ndërtime, zona e Shkozetit me sipërfaqe 377 ha dhe 3 880 ndërtime, zona nga stacioni i trenit deri në Plepa me sipërfaqe 198 ha dhe 943 ndërtime, zona nga Porto Romano deri në Kodër Vilë me sipërfaqe 266 ha dhe 2 300 ndërtime, zona e qytetit të Durrësit me sipërfaqe 244 ha dhe 2 300 ndërtime dhe zona e Plazhit me sipërfaqe 205 ha. Drejtues të agjencisë së legalizimit në Durrës kanë bënë të ditur se në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave për ligjin e legalizimit të ndërtimeve pa leje, u identifikuan 127 ndërtime në total që nuk mund të legalizohen. Këto ndërtime janë bërë në zonën e kombinatit kimik në Porto Romano, ndërtimet poshtë linjës së tensioni të lartë 35 dhe 120 kilovolt, 23 ndërtime që gjenden në parcelën me sipërfaqe 50 hektarë që është punuar nga Co Plan në hyrje të Kënetës.

Last Updated on Saturday, 04 April 2009 10:27

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›