E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në NATO, startojnë aktivitetet në kryeqytet

Me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kryeqyteti do të përfshihet sot nga një axhendë e pasur me aktivitete artistike dhe kulturore. Koncerti i Ansamblit të Qendrës Kulturore të Forcave të Armatosura në orën 10.00 në sheshin Nënë Tereza, do të hapë siparin e festimeve për të vazhduar me një ekspozitë që do të çelet në orën 18:00 në Galerinë e Arteve. Artistët e rinj, nëpërmjet këndvështrimit të tyre, do të paraqesin rëndësinë e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ndërkohë, në po këtë orë Parku 'Rinia' do të pushtohet nga zërat rinorë. Në këtë karaoke do të marrin pjesë shumë të rinj, duke mundësuar kështu dhe evidentimin e talenteve të reja. Ndërsa ura e madhe në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit', do të kthehet në një skenë ku do të interpretojnë artistë të shumtë si Produkt 28, West Side Family, Kthjellu, Mariza Ikonomi, etj. Ky koncert masiv do të vazhdojë deri në orët e para të mëngjesit të datës 5 prill. Në pasditen e së dielës festimet do të vazhdojnë në sheshin 'Nënë Tereza', ku pjesëmarrës do të jenë dhe kryeministri Sali Berisha dhe personalitete të tjera të jetës politike. Aty do të bëhet dhe zbulimi i instalacionit, simbol i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, i përgatitur nga artistja Najada Hamzaj. Në vijim të këtyre aktiviteteve, në orën 19:00, në sheshin "Skënderbej" do të organizohet koncerti i madh festiv me mbështetjen e Kryeministrit dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në të do të marrin pjesë artistë të njohur shqiptarë dhe të huaj. I ftuar special do të jetë grupi muzikor anglez UB40

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›