E Shtunë, 31 Tetor 2026

Part-time, procedurat e aplikimit

16/11/2009  Universitetet brenda javës do të çelin procedurën e pranimit të kërkesave për studime

Aplikimi nëpërmjet dosjes së dokumenteve, kriteret për fituesit

Miratimi i kuotave dhe tarifave për studimet me kohë të pjesshme i hap udhë procesit të aplikimit për kandidatët e interesuar. Ministria e Arsimit pritet të dërgojë pranë secilit universitet publik në vend (që do të ofrojë këtë cikël studimesh për vitin akademik 2009–2010) udhëzimin mbi procedurën dhe afatet e regjistrimeve. Ndonëse janë tejkaluar të gjitha afatet e përcaktuara më parë, pritet që gjatë kësaj jave fakultete të kenë çelur zyrtarisht procedurën e aplikimeve për regjistrimin e kërkesave. Kjo procedurë do të shoqërohet me afate të caktuara kohore, ndërsa më pas do të bëhet selektimi i fituesve që do të pranohen. Specialistët tashmë kanë deklaruar se, ashtu si dhe vitin e shkuar, prioritet në përzgjedhjen e kandidatëve fitues do të jenë ata aplikues që nuk kanë siguruar të drejtën e studimeve të larta gjatë përzgjedhjes së zhvilluar nga Matura Shtetërore për sistemin e ditës për këtë vit. Kështu, kandidatët që deri tani nuk figurojnë të regjistruar në asnjë fakultet do të kenë edhe një shans tjetër për ndjekjen e studimeve të larta, pa qenë nevoja të presin edhe një vit tjetër për të konkurruar për sistemin e ditës. Nuk do të lejohen të konkurrojnë për ciklin e parë të studimeve me kohë të pjesshme të gjithë ata kandidatë që kanë mbaruar një fakultet.

Aplikimet

Kandidatët e interesuar për këtë cikël studimesh duhet të dorëzojnë pranë çdo fakulteti dosjen me dokumentet e kërkuara, procedurë e cila do të brenda një jave, ndërkohë që përmbajtja e dosjes do të shërbejë për klasifikimin e kandidatëve fitues. Dorëzimi i dokumenteve do të bëhet pranë sekretarive mësimore të çdo fakulteti. Dosja duhet të përmbajë detyrimisht kërkesën e kandidatit për degën ku dëshiron të ndjekë studimet e pjesshme, dëftesë pjekurie të shkollës së mesme ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të; dokument identifikimi - certifikatë lindje me fotografi ose pasaportë (në dosje të mbahet certifikata e lindjes me fotografi ose fotokopja e pasaportës); 2 fotografi; mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit; deklaratë individuale e kandidatit”.

Fituesit

Menjëherë pas mbylljes së afatit zyrtar të dorëzimit të kërkesave komisionet e ngritura pranë çdo fakulteti do të përzgjedhin kandidatët fitues në bazë të kritereve të përcaktuara.

Publikimi i tyre do të bëhet brenda një afati të shkurtër një ose dyditor dhe më pas do të nisë procedura e regjistrimeve përfundimtare, ku për tri ditë të tjera me radhë fakultetet do të bëjnë regjistrimin definitiv të kandidatëve fitues. Përkundrejt këtyre të gjitha procedurave parashikohet që fillimi i mësimit për këta kandidatë të bëhet menjëherë pas regjistrimit të tyre. Procedura e regjistrimeve të fituesve përcakton që për rastet kur kandidati fitues nuk ka dëftesë pjekurie origjinale, duhet të paraqesë dublikatë të dëftesës së pjekurisë të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në drejtorinë arsimore rajonale, ose dhe dokument me listën e notave të lëshuar nga Arkiva e Shtetit dhe të sigluar në drejtorinë arsimore rajonale. Kandidatët që do të regjistrohen në programet me kohë të pjesshme në një program të dytë studimi, përveç dokumenteve të përcaktuara më sipër duhet të dorëzojnë në sekretaritë mësimore dhe diplomën e lëshuar nga një universitet (ose fotokopje të saj të noterizuar) ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, e vlerësuar e barasvlershme me të.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›