E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, Hamami mesjetar, objekti historik në mëshirë të fatit

DURRES- Hamami mesjetar në qendër të qytetit të Durrësit ka mbetur në mëshirë të fatit. Monumenti që ndodhet pranë rrugës Tregtare (tani bulevardi "Epidamn) vazhdon të jetë i mbyllur prej disa vitesh dhe oborri i tij është dëshmi e degradimit të këtij objekti të trashëgimisë kulturore të qytetit. Hamami është restauruar në mesin e viteve 1980 dhe për afro dy dekada tërhiqte interesimin e vizitorëve vendas dhe të huaj, të cilët vlerësonin "banjën" 200-vjeçare të qytetit antik, që vazhdon të ruajë disa qindra metra më tej edhe monumentin e banjave "terma" të periudhës romake.

Vitet e fundit një subjekt privat kreu disa ndërhyrje të tjera restauruese në hamamin mesjetar të Durrësit, por marrëveshja me Institutin e Monumenteve të Kulturës duket se u prish shpejt. Aktualisht mjediset e jashtme të objektit janë në gjendje të mjeruar. Banja e periudhës turke ndodhet pranë banesës së familjes Vokopola. Nuk dihet nëse funksioni i saj ka qenë publik apo privat.

Në qendër të kompozimit planimetrik të saj ndodhet mjedisi i zhveshjes, që mbulohet nga një kube sferike, e restauruar afro 30 vjet më parë. Në një lartësi maksimale 5.8 metra nga dyshemeja ndodhen 12 dritare shumë të vogla katrore, të vendosura në mënyrë koncentrike në mesin e gjysëmsferës. Në kulmin e kupolës ndodhet një gjysëmsferë tjetër, me rreze 70 cm, ku hapen tre dritare të tjera rrumbullake, çka plotëson ndriçimin e dhomës. Në të djathtë të kësaj dhome ndodhen edhe dy mjedise të vogla për larje. Dyshemetë e këtyre dhomave ngroheshin me tym ose me avull, nëpërmjet tubacioneve që dilnin nga furra. Kjo e fundit ndodhet në pjesën e prapme të mjedisit të zhveshjes.

Njoftimet e para për banjat mesjetare në vendin tonë, si në Elbasan, Berat apo Gjirokastër, jepen nga kronisti turk Evlija Çelebiu në shek. 17. Banja mesjetare e Durrësit duhet të jetë ndërtuar më vonë. Një banjë tjetër e fundit të shekullit të 19-të ka mbijetuar si banjë publike deri në mesin e viteve 1960, kur pranë saj u ngrit teatri "Aleksandër Moisiu”.

(d.b/ATSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›