E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundon rikonstruksioni i rrugëve “Viktor Hygo” e “Hajdar Hidi”

TIRANE - Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e plotë të rrugës “Viktor Hygo”, në njësinë bashkiake nr. 7. Është ndërtuar sistemi i kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza , trotuare, ndriçimi rrugor, gjelbërimi dhe sinjalistika horizontale e vertikale. Kryebashkiaku Basha u ka premtuar qytetarëve, se brenda pak muajsh nis rikualifikimi urban i gjithë bllokut.

“Investimet janë shtrirë dhe do të vazhdojnë të shtrihen kudo ku ka nevojë qyteti, kudo ku kanë nevojë qytetarët dhe provë e qartë është investimi që ne bëmë në këtë rrugë mu në zemër të Tiranës, por të lënë tërësisht pas dore prej dekada. Siguroj këta banorë, se investimi që është përfunduar sot është vetëm fillimi i rehabilitimit total të bllokut që nis brenda pak muajsh, me buxhetin e vitit 2013”- deklaroi Basha.

Një tjetër rrugë e rindërtuar i është shtuar kryeqytetit. Me një investim prej 10.3 milionë lekësh ka përfunduar rruga “Hajdar Hidi” e cila ndodhet në qendër të Tiranës dhe lidh rrugën “Myslym Shyri” me rrugën e “Kavajës”. Në këtë rrugë që shtrihet në njësinë bashkiake numër 10 është ndërtuar sistemi i kanalizimeve të ujësjellësit, ujërave të bardha etj. Kreu i Bashkisë Lulzim Basha e ka konsideruar këtë, si një tjetër premtim të mbajtur dhe gur prove për punët e tjera që e presin Bashkinë.

“Përfundimi i rrugës “Hajdar Hidi” në qendër të Tiranës, nga njëra anë na jep një kënaqësi të thellë sikundër gjithë banorëve, nga ana tjetër na kujton se sa punë të mëdha dhe të vështira ka ky qytet, për shkak të një harrese që shtrihet nga këtu, zemra e Tiranës e deri në periferitë e skajshme të qytetit, ndaj le të mbetet një premtim i mbajtur por edhe një gur prove për punët e tjera që kemi nisur t’i realizojmë në këtë lagje dhe në të gjithë lagjet e Tiranës” – deklaroi Basha.

(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›