E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, Imami viziton anijen amerikane

Franc Pandofle

Oketa, Demi, Xhons, Imami

Vizita brenda anijes

Anija "Uss Gunston Hall"

Në anijen ushtarake amerikane “Uss Gunston Hall” është zhvilluar një ceremoni pritjeje në të cilën kanë marrë pjesë Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ish-ministri Gazmend Oketa, kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, dhe shumë deputetë e ushtarakë të rangjeve të ndryshme të ushtrisë shqiptare.

Organizatorët e takimit e kanë cilësuar si mjaft të rëndësishëm vizitën portuale të anijes amerikane, vizitë e cila bëhet pas 9 viteve kur në portin e Durrësit kishin ardhur anije të flotës së 6-të. Kapiteni i sajë theksoi se janë përzgjedhur si anija me e shkëlqyer amfibe e SHBA-ve që bën dhe vizitën e saj të parë në Shqipëri.

Në fjalimet e mbajtura  u theksua se vizita të tilla i shërbejnë stabilitetit, paqes, dhe tregojnë se si shtetet e NATO-s bashkëveprojnë dhe se kanë interesa të përbashkëta. Në takim u vlerësua pjesëmarrja e forcave shqiptare në Afganistan dhe u theksua se përmes stërvitjeve të përbashkëta forcohen më tej marrëdhëniet tona dhe rritet aftësia e forcave ushtarake.

Ditën e premte do të zhvillohet një stërvitje e përbashkët detare me forcat shqiptare, ndërsa gjatë ditëve në vazhdim do të bëhen vizita në zonat turistike të vendit Durrës, Krujë, Tiranë, Fier, Berat etj.

Pjesëmarrësit u përshëndetën nga Komandanti i Anijes si dhe më pas nga Franc Pandofle, Komandant i Flotës së 6-të Amerikane dhe Deborah Xhones, zv.ambasadore e SHBA-ve në Tiranë.

Anija ushtarake amerikane do të qëndrojë në ujërat tona për katër ditë ku dhe do të marrë pjesë në manovra të ndryshme zbarkimi. Anija ushtarake  është mjet i specializuar detar për zbarkime në breg të forcave luftarake. Mbërritja në Durrës e këtij kontingjenti ushtarësh amerikan, sipas Ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, ka të bëjë me një vizitë rutinë portaule katër ditore. Imami sqaron se këto janë vizita njohje dhe treguese të një lidhje të fortë të aleancës dhe të gjithë vendeve që aderojnë në të. /M.Brunga/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›