Durrës, Komisioni i vlerësimit të pronësisë mban peng projektin e ullinjve
Puna për vënien në funksion të projektit për mbjelljen e ullinjve në toka që nuk janë shfrytëzuar prej shumë vitesh, ka ngecur për shkak se komisioni i vlerësimit të titujve të pronësisë në varësi të prefekturës ende nuk ka marrë vendimin për tu shprehur për këto toka. Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej rreth 200 hektarë tokë që gjendet në kodrat e Bedenit dhe të Luzit të Vogël, tokë e cila është ndarë në kundërshtim me ligjin 7501 mbi tokën.
Ky territor i komunës së Luzit të Vogël u përzgjodh për tu futur në projektin e mbjelljes së ullinjve, bashkë me sipërfaqe të tjera toke në komunat e Gosës, Synejit dhe Kryevidhit. Pas miratimit për dhënien me koncesion të 1000 hektarëve tokë në këto komuna për mbjelljen apo ripërtëritjen e ullirit, firma koncesionare Agrotal 1 mori ligjërisht në dorë kontratën për këtë investim madhor pas miratimit të kësaj marrëveshjeje edhe në parlamentin shqiptar. Duket se në këtë rast do të bëhet pengesë toka që gjendet në komunën e Luzit të Vogël, e cila është ndarë në mandatet e kaluara të pushtetit lokal, nuk do të jetë e lirë për tu vënë në dispozicion të shoqërisë që mori koncesionin. Burime pranë kësaj komune kanë bërë të ditur se procesi për tu shprehur në lidhje me këta tituj pronësie, që në fakt nuk janë të ligjshëm, ka ngecur falë një neglizhence që është vënë re në Këshillin e Qarkut të Tiranës. Problemi fillimisht është ngritur pranë prefekturës, zyrtarët e së cilës e kanë parë gjendjen edhe në terren, por tashmë duhet që të ndërmerren veprime konkrete edhe ën Hipotekën e Kavajës. Më saktë, hipoteka duhet të shfuqizojë aktet e pronësisë që janë dhënë në kundërshtim me ligjin 7501, por më parë për këtë duhet të shprehet komisioni vendor i vlerësimit të titujve të pronësisë. Propozimi i komunës së Luzit të Vogël për këtë zonë është që aty të mbillen ullinj, sepse ajo është një zonë e zhveshur dhe mjaft e përshtatshme për mbjelljen e ullinjve.