E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish ministri Kosta Barka akuzohet për shpërdorim fondesh

Prokuroria: Barka dha fonde për shoqatën e palicencuar të fëmijëve të ngujuar në Poliçan    
Ish ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta Kosta Barka është njohur dje zyrtarisht pranë Prokurorisë së Beratit me akuzën shpërdorim fondesh.Ish ministri Barka. Nga dita e djeshme, ish ministri Barka do të hetohet në gjendje të lirë me akuzën shpërdorim fondesh, kjo e fundit ngritur pas skandalit që shpërtheu pranë shoqatës të fëmijëve të ngujuar në qytetin e Poliçanit. Burime pranë akuzës pohuan se ish ministri Baka është paraqitur pranë Prokurorisë së Beratit paraditen e djeshme, rreth orës 10:30, ku ai është njohur me akuzat që rëndojnë mbi të. Nga të njëjtat burime mësohet se barka nuk i ka pranuar akuzat e ngritura ndaj tij. Burimet pranë prokurorisë shtojnë se gjatë hetimeve organi i akuzës ka zbuluar se ish ministri i Punës, Kosta Barka i ka dhënë fonde shoqatës të palicencuar të fëmijëve të ngujuar e ngritur në Poliçan. Sipas të njëjtave burime, ish ministri Barka ka shkelur aktet nënligjore të nxjerra prej tij, duke mos e kaluar çështjen e kësaj shoqate për licencim tek një komision i ngritur në ministri, ku kryetar ka qenë zëvendësi i tij. Duke shkelur këtë udhëzim, Barka i ka dhënë fonde një shoqate të palincecuar për trajtim të fëmijëve të ngujuar, çka do të pasohej me një skandal të zbuluar nga organet e prokurorisë pas denoncimeve të njëpasnjëshme të prindërve të fëmijëve por edhe nga kolektivi punonjës i kësaj shoqate në qytetin e Poliçanit. Gjatë hetimeve u vërtetua se fëmijët në qendrën e ngritur jetonin në kushte jo të përshtatshme dhe se në disa raste kushtet i kalonin ato mizerabël dhe tepër të vështira. Duke mos ditur destinacionin e fondeve të dhëna nga buxheti i shtetit ku bëhet fjalë për miliona lekë, prokuroria filloi hetimet ndaj pushtetit lokal të qytetit të Poliçanit. Por gjatë procesit hetimor, prokuroria studioi aktet ligjore ku një përgjegjësi të madhe për akordimin e fondeve ndaj shoqatës mbante vetë ish ministri Barka, bëjnë të ditur burime nga organi i akuzës. Për këtë prokuroria ka thirrur dje si të pandehur ish ministrin Barka ku dosjen me akuzat ndaj tij, tashmë do ti kalojnë organeve të gjyqësorit për të përfunduar hetimet ndaj këtij personi të akuzuar për skandalin e fëmijëve të ngujuar në qytetin e Poliçanit. Prokurori i rrethit të Beratit, Xhemal Saliaj deklaroi se dosja voluminoze do të ndiqet nga dy prokurorë dhe nga tre oficerë të policisë gjyqësore për arsye se gjatë procesit gjyqësor para togave të zeza do të zbardhen edhe akuza të tjera për krerë të shoqatave, punonjësit e qendrës e persona të tjerë që kanë lidhje me këtë shoqatë dhe me qendrën e ngujimit të fëmijëve. Sipas prokurorit Saliaj, Barka akuzohet se ka shkelur vendimin e Këshillit të Ministrave për ligjin për shoqatat jofitimprurëse nenin 564 dt.12.8.2005. Për këtë arsye, Barka do të dalë para togave të zeza për shpërdorim detyre, akuzë kjo e bazuar në nenin 248 të Kodit Penal dhe që sipas këtij neni, ish ministri rrezikon gjobë deri në dy vjet burg. Gjithsesi dosja përkatëse pas përfundimit të hetimeve të ish ministrit dhe të 4 punonjësve të shoqatës dhe të kreut të saj do ti kalojë togave të zeza dhe se do të jenë ato që do të kryejnë procesin e gjykimit. Ngjarja për të cilën Barkës i është komunikuar dje akuza përkatëse për ndjekje penale në gjendje të lirë, e ka zanafillën rreth 8 muaj më parë kur disa prindër dhe punonjës të pushtetit vendor të Poliçanit dhe të ndihmës ekonomike kanë denoncuar shkeljet flagrante dhe skandaloze me fondet në këtë qendër fëmijësh të ngujuar, të cilët vinin nga e gjithë Shqipëria. Kjo ka bërë që ministria përkatëse të pezullojë kreun e shoqatës, Liljana Luani dhe punonjësit e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›