Basha në Belsh dhe Peqin: Modeli Rama i dështuar dhe korruptiv
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, gjatë një takimi me banorë të Bashkisë së Belshit dhe komunave Fierzë, Rrasë e Shushicë, u shpreh se modeli i dështuar dhe korruptiv që Edi Rama vendosi në Bashkinë e Tiranës kërkon të kthehet sot në modelin e ri për tu instaluar në të gjithë Shqipërinë. Sipas numrit një të Ministrisë së Jashtme në gjithë këto vite, vëmendja e krybashkiakut Rama është e përqendruar vetëm tek lejet e ndërtimit, ku fitimi i ndarë me bashkëpunëtorët e tij, natyrshëm, është më i madh ka theksuar Basha.
Për të kuptuar modelin qeverisës të Ramës, mjafton të shikosh rrugët dhe trotuaret e kryeqytetit të cilat, ndonëse kanë kushtuar një mal me para, vetëm pak muaj ose ditë pas rikonstruksionit janë shkatërruar plotësisht. Ky model, nuk mund të konkurrojë me autostradat që po ndërtohen nga jugu në veri, me shkollat, hidrocentralet e termocentralet, me imazhin tjetër që Shqipëria si anëtare e NATO-s ofron në mbarë botën, u shpreh Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha. Edhe në takimin tjetër të zhvilluar me banorët e Peqinit, Ministri Basha, ka akuzuar sërish Edi Ramën se, modeli i tij, prej gati 10 vjetësh në pushtet, është ai i shërbimit të një klientele të ngushtë. Në takimet me banorë të komunave Përparim, Gjocaj dhe Karin, Ministri Basha, u shpreh se, pasurimi i tij dhe i një grupi biznesmenësh ka qenë në qendër të modelit qeverisës të Ramës, model që ai kërkon ta shtrije në të gjithë Shqipërinë. Edi Rama ka një model, një model më shumë se 10-vjeçar, pa ndërprerje në krye të pushtetit. Cili është ky model? Ky është modeli i një klientele të ngushtë njerëzish të cilët, me abuzimin dhe korruptimin e plotë të pushtetit, vjelin djersën, mundin, frytet e shqiptarëve nëpërmjet hinkës së pushtetit dhe i kanalizojnë ato në xhepat e z. Rama dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, theksoi Basha. Përtej të majtës dhe të djathtës, anash të majtës dhe të djathtës, - vijoi ai, nuk ka të bëjë as me të djathtën, as me të majtën por ka të bëjë vetëm me një grusht biznesmenësh të cilët i ka përdorur për interesat e tij korruptive dhe që shpresojnë se, më 28 qershor, interesat e tyre korruptive ti shtrijnë në gjithë Shqipërinë. Për Bashën, ky model i Edi Ramës, tenton të shtrohet si një alternativë përballë një ndryshimi të ofruar nga mazhoranca përmes shkollave të reja, rrugëve të ndërtuara dhe asfaltuara, rritjes së pagave e pensioneve, integrimit në NATO dhe, së shpejti, liberalizimit të plotë të vizave me Bashkimin Evropian.