E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës-Kukës, Braçe: Kostoja për 1 km, 1.5 mld lekë të reja

Deputeti i PS-së bën publike fakte të reja për kostot marramendëse të rrugës


TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka deklaruar dje se procedurat që janë ndjekur për rrugën Durrës-Kukës, kanë shtuar kostot në mënyrë marramendëse duke u materializuar në shpërdorime, po kaq të mëdha të parave publike të shqiptarëve.


Përmes një konference për shtyp, deputeti i PS-së, Braçe ka marrë si burim referimi pikërisht të dhënat e Ministrisë së Financave, ku kostoja për 1 km rrugë ka shkuar deri në 1.5 mld lekë të rinj.


"Sot ne po ju japim faktin e ri: Burimi: Ministria e Financave, referenca kohore: 6 muajt e parë të këtij viti, raportimi për koston për një kilometër të ndërtimit të rrugës Rrëshen -Kalimash, Kalimash-Kukës, Kukës-Morinë, sipas raportimeve të vetë Ministrisë së Transporteve.


Ky dokument tregon se kostoja për një kilometër, në 6 muajt e parë të vitit, është rritur nga 826 mln lekë në 1.5 mld lekë të reja. Pa asnjë shkak të treguar, në kushtet kur çmimet e materialeve të ndërtimit pësuan rënie drastike, mbi të gjitha, kur materializimi në rrugë ka qenë vetëm 50 % ndërsa shpenzimi 93%!


Ky është shpërdorimi i parave të shqiptarëve për të cilin ne nuk gëzohemi, por kemi të gjithë të drejtën shqiptare ta denoncojmë! Mjafton vetëm ky dokument i Ministrisë së Financave, që Prokuroria të nisë hetimet kryesisht, për të gjithë aktorët e këtij operacioni kriminal", - tha dje Braçe. Tuneli, sipas tij, është pjesa më e madhe e shpenzimeve në këtë rrugë.


"Ai zë gati 60% të kostos së rrugës e pavarësisht kësaj, ai po bie, e vërtetë, në mënyrë frekuente, por në mënyrë skandaloze po të shohësh paratë e paguara për garancitë teknike për punën, të vendosura për të në kontratë! Ndryshe nga kudo, këtu, për tunelin tonë të shtrenjte, rrëzimin e tij, nuk ka informacion, teknik, shkaqet, arsyet, për të cilat nuk mund të akuzohet mali si i pabesë, përmasat e shembjes dhe efektet e saj mbi veprën, projektin e ri, për të rikuperuar këtë dëm fizik në vepër, faturën financiare, që do të duhet për të rikuperuar rënien e tunelit",- tha ai.


Deputeti i PS-së shtoi se shifrat, volumet dhe pagesat e kryera për rrugën, tregojnë se shkaku kryesor është tek nxitimi elektoral. "Nxitimi elektoral për të justifikuar me këtë vepër korrupsionin e qëndrueshëm, si element thelbësor i saj, po kthehet në mallkim për këtë vepër publike.


Por pa diskutim, element themelor, për së dyti, përtej kostos, për të nisur hetimet kryesisht për Sali Berishën, Lulëzim Bashën e Sokol Olldashin, Kompaninë ndërtuese. Për këtë krim ka hetime të kryera, por nuk ka gjyq. Keqbërësit zgjodhën të pengojnë hetimin e të shpëtojnë ndëshkimin. Por nuk ka krim pa prova, ashtu siç nuk ka krim pa ndëshkim",- tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›