E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokimi i Kuvendit, gjyqtarët: Do të vetadministrohemi

Gjyqtarët kërkojnë që politika të arrijë konsensusin me qëllim miratimin e draftit për Konferencën Gjyqësore


TIRANË- Pas qëndrimit të ambasadorëve dy ditë më parë, thirrja e dytë për zgjidhjen e krizës politike në vend vjen nga radhët e gjyqësorit.


Kanë qenë krerët e Gjykatave të Rretheve Gjyqësore dhe të Apelit në vend si dhe përfaqësuesit e shoqatave të gjyqtarëve, të cilët pas një tryeze të rrumbullakët të mbledhur nga Kryetarja e Gjykatës së Lartë, gjyqtarja Shpresa Beçaj, kanë apeluar për një bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës për të arritur plotësimin e reformave në drejtësi.


"I kërkojmë të gjitha forcave politike që të shprehin vullnetin dhe të marrin përsipër përgjegjësitë ligjore dhe kushtetuese për arritjen me konsensus dhe në kohë rekord për kalimin e projektligjit për Konferencën Gjyqësore Kombëtare, i cili do të bëjë të mundur mirëfunksionimin e Sistemit të Drejtësisë në tërësi dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë në veçanti", - thuhet në deklaratën e lëshuar paraditen e djeshme nga krerët e gjyqësorit në vend dhe shoqatat, që i përfaqësojnë ata.


Pas takimit të dytë të mbajtur paraditen e djeshme, pjesëmarrësit e kësaj tryeze të rrumbullakët kanë pasur në qendër të diskutimeve projektligjin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare të paraqitur nga Ministria e Drejtësisë.


Katër anëtarëve të KLD-së që dalin nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare u ka mbaruar mandati, por anëtarët e rinj nuk mund të zgjidhen për shkak se mungon kuadri ligjor për funksionimin e saj. Për zgjidhjen e kësaj situate në Kuvend nevojiten edhe votat e opozitës.


"Pas këtij takimi dy ditor u arrit në një përfundim nga të gjithë pjesëmarrësit duke iu drejtuar Ministrisë së Drejtësisë me një kërkesë për të pasqyruar në draftin përfundimtar në mënyrë të detajuar, të gjitha rekomandimet e bëra nga trupa gjyqësore në tërësi, shoqatat e gjyqtarëve dhe misionit ndërkombëtar EURALIUS, në lidhje me projekt-ligjin për KGJK.


I kërkohet Ministrisë së Drejtësisë që në kohën më të shkurtër të përshtatshme, ky projektligj me rregullimet e bëra, të kërkuara më sipër, t'i dërgohet Këshillit të Ministrave e më pas Kuvendit të Shqipërisë, për miratim.


Si dhe u vendos në unanimitet që paralelisht me procesin ligjvënës trupa gjyqësore të vete administrohet në mënyrë të pavarur, duke thirrur në një takim të gjithë gjyqtaret e Republikës së Shqipërisë më datën 5 dhjetor 2009", -thuhet në deklaratë.


Meta: Kutitë e votimit nuk hapen


BRUKSEL- Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Nikolaos Chountis -i, deklaroi se qytetarët dhe partitë politike shqiptare duhet të zgjidhin krizën politike që është krijuar në vend.


Gjatë takimit me kreun e diplomacisë shqiptare, Ilir Metën, Chountis theksoi se problemet politike midis mazhorancës dhe opozitës duhet të zgjidhen në mënyrë të përgjegjshme, me qëllim që të arrihen objektivat evropianë që synon Shqipëria. "Shpresojmë shumë që problemet e brendshme në Shqipëri do të zgjidhen shpejt, në mënyrë të përgjegjshme nga qytetarët dhe partitë politike shqiptare me qëllim që të arrihen më mirë objektivat e tyre",- tha dje Chountis -i.


Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm, Ilir Meta ka shprehur qëndrimin e qeverisë shqiptare, lidhur me bojkotin që po zhvillon opozita parlamentare, e cila kërkon hapjen e kutive të votimit. Sipas Metës, qeveria është e gatshme për t'iu përgjigjur të gjitha kërkesave legjitime që vijnë nga opozita, por me kushtin që të mos preken vendimet e gjykatave dhe pavarësia e gjyqësorit.


"Kam shprehur vullnetin e qeverisë dhe qëndrimin e saj tepër konstruktiv për t'iu përgjigjur të gjitha kërkesave legjitime, të arsyeshme dhe konstruktive që vijnë nga opozita, por pa marrë përsipër për të ndërhyrë në vendimet e gjykatave dhe pacenuar pavarësinë e gjyqësorit, që është një nga shtyllat e shtetit të së drejtës, të cilin na e kërkon ta ndërtojmë edhe Bashkimi Evropian", - u shpreh Meta.


***************************************************


Gjatë takimit është diskutuar për forcimin e shtetit të së drejtës, gjendjen e mediave në vend si dhe problemet e shfaqura kohët e fundit me lirinë e shtypit.


Kriza politike në vend, Topi takon Uidhersin


TIRANË- Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon Uidhers, zhvilluan dje një takim kokë më kokë pa praninë e mediave.


Duke iu referuar njoftimit zyrtar të Presidencës, gjatë takimit, pjesë e diskutimit ka qenë konsolidimi i institucioneve të pavarura, forcimi i shtetit të së drejtës, gjendja e medieve në vend si dhe problemet e shfaqura kohët e fundit me lirinë e shtypit.


Nisur nga përmbajtja e shkurtër e njoftimit zyrtar të Presidencës, kuptohet qartë që në takimin mes Topit dhe Uidhersit një vend të konsiderueshëm ka zënë edhe dhuna e ushtruar së fundmi ndaj gazetarit Mero Baze.


Kjo ngjarje u shoqërua me reagime të shumta, madje edhe nga vetë ambasadori Uidhers, i cili menjëherë pas ngjarjes e cilësoi aktin e ushtrimit të dhunës, si të patolerueshëm, sidomos për një vend, që është anëtar i NATO-s dhe aspiron integrimin në Bashkimin Evropian.


Uidhers kërkoi nga drejtësia që të mos ndikohet nga politika në trajtimin e kësaj ngjarjeje. Dhuna e ushtruar mbi gazetarin, bëri që gazetarë të medieve vizive dhe atyre të shkruara të protestonin para selisë së Kryeministrisë.


Protesta u pasua edhe me hartimin e një peticioni me firmat e 135 gazetarëve më të njohur në Shqipëri, ku kërkohej nisja e një aksioni të përbashkët për vendosjen e standardeve të reja për lirinë e shtypit.


Përveç problemeve për lirinë e shtypit, në takimin mes Topit dhe Uidhersit u diskutua edhe situata politike, e krijuar në vend, kur mazhoranca dhe opozita nuk lëshojnë pe nga qëndrimet e tyre.


Opozita e cila vazhdon të bojkotojë Parlamentin, që pas zgjedhjeve të 28 Qershorit, kërkon hapjen e kutive të votimit për të vërtetuar legjitimitetin e qeverisë, që erdhi në pushtet nga këto zgjedhje.


Partia Socialiste së bashku me parti të tjera opozitare të majta dhe të qendrës së djathtë, po protestojnë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke kërkuar hapjen e kutive të votimit.


Nga ana tjetër, me gjithë presionin politik të krijuar deri më tani nga e opozitës për të hapur kutitë e votimit, mazhoranca qeverisëse nuk e pranon kërkesën e opozitës, duke u justifikuar me faktin se ajo nuk mund të dalë mbi vendimet e gjykatave. Ajo i ka bërë thirrje opozitës se do të pranojë çdo kërkesë të saj, me përjashtim hapjen së kutive.


Për këtë situatë të krijuar në vend, ndërkombëtarët i kanë kërkuar palëve politike që të zgjidhin këtë ngërç politik, pasi po bllokohet veprimtaria e institucioneve shtetërore dhe Shqipëria po rrezikon në rrugën e integrimit të saj për në Bashkimin Evropian.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›