E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Durrës-Kukës”, dorzohet sot kërkesa për shqyrtim

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Dosja “Durrës-Kukës”

Prokuroria e Përgjithshme ka përunduar së përpiluari kërkesën për rishikimin e vendimit të Gjykatës së Lartë për pezullimin e gjykimit të Lulzim Bashës për shkeljet e konstatuara në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Burime nga organi i akuzës kanë bërë me dije se kërkesa ka përfunduar dhe ekzistojnë të gjitha gjasat që ajo të dërgohet sot në gjykatë për shqyrtim. Prokuroria do të kërkojë shqyrtimin evendimit për pezullimin e gjykimit pasi një tjetër Kolegj Penal pranë kësaj gjykate e ka cilësuar si të vlefshme kërkesën për gjykim dhe aktet e komunikimit të akuzës ministrit Lulzim Basha. Sipas akuzës, kërkesa do të dërgohet në gjykatë ditën e sotme pasi ajo ka përfunduar së përpiluari që në fundjavë. Gjykata e Lartë do të përzgjedh një Kolegj Penal për të shqyrtuar kërkesën dhe do të përcaktohet data se kur do të bëhet shqyrtimi. Sipas parashikimit ligjor, kërkesa shqyrtohet kryesishtë pa praninë e palëve. Ky Kolegj do të vendosë nëse Lulzim Basha duhet të gjykohet, apo çështja do të mbyllet përfundimisht. Kjo është mundësia e fundit për Prokurorinë që të finalizojë hetimet një vjeçare për abuzimet në ndërtimin e segmentit rrugor Durrës-Kukës.
Pushimi
Kolegji Penal, i kryesuar nga relatori Spiro Spiro, vendosi që të mos pranojë kërkesën e Prokurorisë për gjykimin e ish-ministrit të Transporteve, aktualisht ministër i Jashtëm, Lulzim Basha, pasi sipas Gjykatës, Prokuroria ka kryer veprimet hetimore dhe procedurale pas vendimit të gjykatës për pushimin e çështjes. Sipas argumentimit të këtij Kolegji, kërkesa për gjykim është shqyrtuar pas datës 6 nëntor dhe për këtë arsye kjo kërkesë është e jashtëligjshme. Gjithashtu, Prokuroria ka dërguar dosjen për gjykim ende pa u siguruar që të pandehurit janë njohur me aktet hetimore dhe akuzën e ngritur ndaj tyre. Në argumentim ky kolegj Penal ka theksuar se nuk janë respektuar as dy vendimet e Gjykatave më të ulëta për mbylljen e hetimeve. Por vendimi që i përketë komunikimit të akuzave ndaj ministrit Basha është rrëzuar nga Gjykata e Lartë vetëm pak ditë pasi çështja ishte mbyllur.
Rekursi
Dy vendimet e mëparshme, që u cilësuan të jashtëligjshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën, janë respektivisht vendimi numër 1623 i dhënë nga gjyqtarja Fatmira Hajdari dhe vendimi numër 21 i dhënë nga treshja e Gjykatës së Apelit. Këto dy vendime që sipas Gjykatës së Lartë janë të jashtëligjshme, “zhveshën” ministrin Basha nga akuzat dhe për pasojë u cilësua si e pavlefshme edhe kërkesa për gjykim. Gjykata është shprehur dje se Lulzim Basha mund të kthejë në Prokurori për t u njohur me akuzat nëse do të ishte e nevojshme dhe jo procesi i gjykimit të mbyllej. Për këtë çështje, gjyqtarja e Gjykatës së Shkallës së Parë, Fatmira Hajdari, vendosi: Pranimin e kërkesës me Nr. 1623 Akti, të datës 26.11.2008 duke bërë deklarimin e pavlefshëm të akteve procedurale, gjatë hetimeve paraprake si: a) Fletëthirrjen e datës 24.11.2008, me nr.1048/74 Prot, të prokurorit pranë zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme. Deklarimin e pavlefshëm të aktnjoftimit të akuzës, të datës 27.11.2008, të prokurorit pranë zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe pavlefshmërinë e akteve të mëpasme të ndërmarra nga Prokuroria, që varen nga aktet e deklaruara të pavlefshme. Pas këtij vendimi, Prokuroria apeloi, por edhe Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e dhënë nga gjyqtarja Hajdari.

Gjykata pushoi hetimet
Për çështjen “Durrës-Kukës” Gjykata e Lartë ka dhënë edhe një vendim për mbylljen e hetimeve që në datën 6 nëntor. Të pandehurit ankimuan në gjykatë një kërkesë për mbylljen e hetimeve që në datën 6 nëntor dhe për të cilësuar si të pavlefshme hetimet e kryera pas kësaj date. Gjyqtari Sokol Tona vendosi të pranojë kërkesën dhe të shpallë si të pavlefshme të gjitha hetimet dhe aktet hetimore të kryera pas kësaj date. Ky vendim u la në fuqi edhe në Gjykatën e Apelit ashtu edhe në Gjykatën e Lartë. Edhe kërkesa për gjykim është përpiluar pas kësaj date që sipas këtij vendimi është ende e pavlefshme. Sipas argumentimit të Gjykatës, ky vendim i shtrin efektet edhe mbi Lulzim Bashën, pasi vendimi nuk është individual, por për dosjen.

Ky lajm është publikuar: 18/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›