E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dilemat: Njerëzit bashkohen në martesë, pasuritë mbeten të ndara

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Regjimi i pasurive të ndara është parashikuar nga neni 115 e në vijim të Kodit të Familjes, dhe ka një natyrë krejt të ndryshme nga bashkësia me kontratë përsa i përket pronësisë mbi pasurinë e secilit bashkëshort. Me këtë regjim nuk krijohet një pasuri në bashkëpronësi të bashkëshortëve. Në këtë regjim, secili nga bashkëshortët ruan të drejtën e administrimit, përdorimit dhe disponimit të lirë mbi pasurinë e tij. Nga leximi i këtyre dispozitave konstatohet se në raportet juridike midis bashkëshortëve që lidhen me regjimin e pasurise, ato janë indiferente, janë dy subjekte të së drejtës civile që në rast mosmarrëveshjeje do të zbatojnë përveç kërkesave të Kodit të Familjes edhe kërkesat e ligjit në lëndë civile. Në kuptimin e përgjithshëm të konceptit mbi familjen, bashkësia me kontratë e pasurisë, në veçanti regjimi i pasurive të ndara, shënon një « shmangie » nga kuptimi tradicional i familjes. Por, edhe në këtë rast, sido që të bëhet rregullimi juridik i regjimit të pasurive të ndara, marrëveshja e palëve, kurrësesi nuk mund të cënojë interesat dhe të drejtat e mbrojtura nga neni 67 i Kodit te Familjes, në të cilin parashikohen të drejtat e pashmangshme.
Regjimi i pasurive të ndara ka gjetur njëpërhapje mjaft të gjerë kohët e fundit në vendet e tjera. Në Shqipëri ende nuk mund të bëhet fjalë për përhapjen e tij sepse është hera e parë që parashikohet në Kodin e Familjes dhe koha e hyrjes në fuqi të tij është e shkurtër. Në bazë të praktikës së vendeve që e zbatojnë, ky regjim njeh një rritje të vazhdueshme. Dy faktore ndikojnë në suksesin e tij : Ky regjim zgjidhet shpesh nga bashkëshortët që martohen për herë të dytë; Ai ekziston gjithashtu në çiftet e pasura, të cilat kanë iniciativën e sipërmarrjes sidomos kur profesioni i tyre është me risk.
Sipas juristit Islamaj, ky regjim ka shumë avantazhe në raport me regjimin e bashkësisë për këto arsye: Së pari sepse i jep çdo bashkëshorti pavarësi të plotë. Pas Luftës së Dytë Botërore, feministët kërkonin ta kthenin këtë regjim në regjimin legal. Sot kjo kërkesë nuk ekziston më, sepse shoqëria preferon bashkësinë. Ky regjim nuk është më regjimi ligjor edhe në vendet e Lindjes dhe në Itali qysh prej 1975-s për shkak të vështirësive që paraqet: Së pari, ky regjim nuk është aq i thjeshtë sa duket. Meqenëse bashkëshortët jetojnë së bashku, interesat e tyre përzihen në mënyrë fatale dhe situata është konfuze kur ata nuk mbajnë llogari. Sipas noterëve regjimi i ndarjes është regjimi më i vështirë për t u likuiduar sidomos në rast divorci me një ndërhyrje të rëndësishme të teorisë së detyrimeve (pasurimi pa shkak, shoqeri fakti: ekzistenca e shoqërisë edhe pse jo e krijuar sipas proçedurës formale, është e rëndësishme për t i njohur një bashkëshorti, në përgjithësi gruas, të drejtën për të marrë pjesë në fitimet e aktivitetit të ushtruar nga të dy edhe pse aktiviteti i përket vetëm njërit prej bashkëshortëve).
Së dyti, likuidimi është shpesh i padrejtë sidomos për gruan. Shpesh, burri administron pasurinë e gruas e cila nuk ka një aktivitet profesional. Pasoja është se vejusha, në regjimin e ndarjes ka më pak të ardhura se kur ishte në regjimin e bashkësisë. E njëjta gjë për gruan e divorcuar, që ka qenë për shumë kohë pa aktivitet profesional. Dmth është e padrejtë që gruaja shtëpiake e cila ka pasur të gjitha detyrimet në shtëpi, të mos përfitojë nga krijimi i pasurisë së prodhuar nga burri i saj gjatë martesës, pasi kur edhe ajo ka kontribuar në mënyrë indirekte.
Ky regjim është një përzierje mosbesimi dhe egoizmi. Pasuria e një bashëshkëshorti është e mbrojtur nga veprimet e bashkëshortit tjetër, çdo bashkëshort fiton për vete. Një autor ka thënë se regjimi i ndarjes nuk është një regjim martesor, por mungesë e një regjimi martesor, sepse personat martohen ndërsa pasuritë ngelen të pavarura. Megjithatë, ai është një regjim martesor sepse sendet e bashkëshortëve janë të afektuara në nevojat e jetës së përbashkët, sepse edhe nqs bashkëshortët janë në regjimin e ndarjes, ata nuk janë as beqarë, as konkubinë. Pastaj, jeta e përbashkët bën të nevojshme një buxhet minimal të përbashkët aq më tepër që tendenca bashkëkohore është të zhvillojë idenë e bashkësisë edhe në regjimin e ndarjes me mekanizmat e pasurimit pa shkak apo të shoqërisë faktike. Pra, vështirësia apo lehtësia e këtij regjimi varet shumë edhe nga mënyra e veprimit dhe administrimit të pasurisë gjatë martesës nga të dy bashkëshortët. Regjimi i pasurive të ndara siç e thamë zgjidhet vetë nga bashkëshortët, pra ai është një regjim me marrëveshje. i vullnetit të palëve (bashkëshortëve), pasi ky regjim vihet me kontratë.
Përsa i përket detyrimeve që rrjedhin nga martesa, bashkëshortët kontribuojnë sipas përcaktimit të kushteve të caktuara në kontratën e martesës. Në rast se nuk ka parashikime në kontratë do të zbatohen dispozitat e Kodit të Familjes që bëjnë fjalë për detyrimet që rrjedhin nga martesa.
Në Shqipëri ende ka pak raste të aplikimit të regjimeve të pasurive të ndara.
(Artikulli është përzgjedhur nga studimi i Fatri Islamajt “Regjimet pasurore martesore”)

Redaktoi D.Kona

Ky lajm është publikuar: 18/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›