Durrës-Kukës, sot pritet hedhja e shortit në Gjykatën e Lartë
Tiranë- Gjykata e Lartë pritet të mblidhet sot për hedhjen e shortit për dosjen Durrës-Kukës, ku i pandehur është edhe ish ministri i Transporteve Lulzim Basha dhe ish-drejtori juridik i institucionit, Andi Toma. Akuza mbi Bashën është shpërdorim detyre dhe favorizim në tender.
Dosja "Durrës-Kukës" u dorëzua në Gjykatën e Lartë për gjykim më 5 dhjetor 2008, pas më shumë se 17 muaj hetimi.
Pritej që shorti të hidhej një ditë më parë, por shtyrja e tij mësohet se është bërë për të pasur mundësi që më parë të diskutohej për procedurën që do të ndiqej.
Për këtë cështje, shumë të bujshme, sipas prokurorisë, është gabuar gjatë procedurave të tenderimit, përzgjedhjes së firmës fituese për ndërtimin e segmentit të shumëpërfolur Rrëshen-Kalimash. Dëmi i shkaktuar shtetit kap shifrën e 232 milionë eurove, për të cilën është akuzuar shumë ashpër nga opozita, e cila ka deklaruar se për këtë vjedhje ai ka mbështetjen e hapur të kryeministrit të vendit, Sali Berisha.