E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, arrihet marrëveshja për industrinë e makinave

Demokratët në Kongres dhe Shtëpia e Bardhë kanë arritur në parim një konsensus për një paketë shpëtimi shumë miliard dollarëshe për industrinë amerikane të prodhimit të makinave që është në vështirësi.

Zyrtarë të administratës thanë se kjo tentativë për marrëveshje mbulonte disa çështje kryesore, por hollësitë përfundimtare ende kishin nevojë për t'u sqaruar.

Legjislacioni i propozuar siguron 15 miliard dollarë fonde emergjente për kompanitë Chrysler dhe General Motors. Kurse kompania Ford thotë se nuk ka nevojë për këtë ndihmë afatshkurtër.

Zyrtarët në të dyja anët e quajnë këtë marrëveshje në parim dhe ka ende hollësi, të cilat do të duhet të sqarohen. Por Shtëpia e Bardhë dhe demokratët janë të kënaqur që kanë arritur një marrëveshje.

Marrëveshjet përfshijnë edhe caktimin e një guvernatori mbikëqyrës që do të ketë autoritetin për t'i kthyer 15 miliard dollarët në Thesarin amerikan dhe t'i detyrojë kompanitë të falimentojnë nëse ato nuk ndreqin mënyrën e menaxhimit.

Të paktën njëra prej kompanive, General Motors mesa kuptohet ka nevojë për fonde brenda disa ditësh për të qëndruar në biznes.

Përpara se presidenti ta nënshkruajë këtë ligj, ai duhet të kalojë në të dyja Dhomat e Kongresit.

Marrëveshja pritet të kalojë të mërkurën në Dhomën e Përfaqësuesve ku demokratët kanë shumicën.

Por në Senat, rezultati mund të jetë i ngushtë dhe republikanët nëse duan mund ta hedhin poshtë këtë masë. (BBC)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›