E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meksi: E vërteta e darkës së fundit të Triestes

RRËFIMI

Njeriu që mori pjesë në takim dhe pak muaj më pas u bë kryeministër, tregon se në praninë e tij nuk është bërë asnjë pakt Nano-Berisha

TIRANË- “Darka Triestes, e përfolur si skena ku janë ndarë hiset politike, nuk është gjë tjetër, veçse një takim i rastësishëm”. Të paktën këtë deklaron ish-Kryeministri Aleksandër Meksi mbi takimin e Triestes, për të cilin, për vite të tëra janë hedhur dyshime apo edhe akuza bashkëpunimi ndërmjet dy kundërshtarëve më të egër në politikën shqiptare, Sali Berishës dhe Fatos Nanos. Për herë të parë, publikimi i disa fotove, thuajse ka përligjur fjalët që, për rreth 16 vjet, kanë qarkulluar mbi këtë takim të zhvilluar një muaj para zgjedhjeve që do të sillnin Partinë Demokratike në pushtet. Ndërsa për ish-Kryeministrin gjithçka ka qenë e rastësishme dhe takimi i Triestes nuk është gjë tjetër, veçse një darkë kortezie e organizuar nga personat e caktuar nga drejtuesit e Konferencës Ndërkombëtare, siç ishte Mentor Çoku.

Takimi

Është përfolur si një takim sekret. Dhe kaq është dashur që për vite të tëra të qarkullonin fjalë dhe legjenda mbi ndarjet e parcelave politike që në vitin 1992, ndërmjet dy liderëve kryesorë të forcave politike në vend. Kryeministri Sali Berisha, në krah të ish-armikut të tij kryesor politik Fatos Nanos, duke ngritur dolli dhe pozuar në rrugët e Triestes. Dhe gjithë kjo ka ndodhur pikërisht një muaj para zgjedhjeve parlamentare në vend, ku Partia Demokratike vjen për herë të parë në pushtet. E ndërsa takimi është konsideruar si darka ku janë hedhur themelet e politikës shqiptare, një nga protagonistët e kësaj darke, Aleksandër Meksi, thotë krejt të kundërtën. “Ishte një darkë e rastësishme e organizuar nga dy shqiptar që ishin caktuar të kujdeseshin për delegacionin shqiptar që merrte pjesë në këtë konferencë. Një prej tyre ka qenë Metor Çoku, ndërsa ne përfaqësonim Shqipërinë në dy delegacione të ndryshme. Aty ka referuar edhe Sali Berisha dhe Fatos Nano dhe darka për të cilën flitet, është shtruar më 22 shkurt. Nuk ka qenë një takim sekret, paçka se në Shqipëri, po të vendosësh këtë fjalë, më pas gjithçka është më e besueshme”,- thotë Aleksandër Meksi. Ai tregon se në këtë takim nuk ka pasur asnjë bisedë sekrete, apo dhe plan për të projektuar të ardhmen politike në vend. Por, për këtë gjë nuk është shumë i sigurt dhe thotë që, të paktën në prezencën e tij, nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

“Nuk arrij të besoj se si mund të konsiderohet një takim sekret, ku gjithçka ka qenë zyrtare dhe darka pjesë e protokollit të konferencës”,- thotë Aleksandër Meksi. Njeriu që u bë Kryeministër pikërisht pas atyre zgjedhjeve, mohon faktin se publikimi i këtyre fotove ka zbardhur një nga takimet më të diskutueshme ndërmjet Sali Berishës dhe Fatos Nanos. Ai thotë se i disponon fotot e pjesëmarrjes në Konferencën e Triestes, si dhe ato të zhvilluara gjatë darkës. Sipas tij, deri më tani askush nuk është interesuar për publikimin e tyre, ndërkohë që takimi i Triestes nga ajo sa thotë ish-Kryeministri, nuk është gjë tjetër veçse darka e fundit ndërmjet Sali Berishës dhe Fatos Nanos.

Nano, Berisha dhe Meksi u takuan në një ceremoni në Trieste të Italisë. Darka “intime” që pasoi takimin zyrtar

Takimi italian që solli PD-në në pushtet

TIRANË- Dy herë me radhë, ndërsa Shqipëria ka qenë përpara sfidave të mëdha për kursin që do të merrte vendi pas rënies së sistemit totalitar, Italia ka qenë vendi ku janë mbajtur bisedimet mes “gjelave” të politikës së Tiranës. Ndërsa në vitin 1997, pas kaosit që pasoi rënien e firmave piramidale dhe të institucioneve shtetërore, drejtuesit kryesorë të partive politike shqiptare, u thirrën në Itali për të bërë paqen politike, 15 vite më parë ishte tentuar e njëjta skemë, sigurisht e djegur më pas nga zhvillimet politike “alla” shqiptarçe. Takimi i Triestes, nëse mund të quhet e tillë, mbledhja bashkë për fotografi e kryetarit të PD-së, Sali Berisha dhe kryetarit të PS-së dhe ish-kryeministrit, Fatos Nano, kërkonte, mesa duket, të vinte paqen mes palëve politike për të shkuar të qetë në zgjedhjet e 22 marsit 1992, paqe që do të prishej pas fitores me mbi 62 për qind të votave nga ana e Partisë Demokratike dhe daljes në opozitë të socialistëve. Bërja bashkë e palëve, ishte një mesazh për të çuar vendin drejt zgjedhjeve pa gjakderdhje dhe trazira, sepse prej humbjes së zgjedhjeve të 31 marsit 1991 nga Partia Demokratike, vendi ishte zhytur në kaos institucional, varfëritë e tejskajshme, greva të pandërprera dhe me qeveri disamujore dhe inekzistente në shumë rajone të vendit. Masakra si ajo e 2 prillit 1991 në Shkodër, plaçkitjet në Laç apo Fushë-Arrës, eksodet e qindra mijëra shqiptarëve drejt Italisë dhe Greqisë, ishin ngjarjet më të rënda të vitit të parë pas rënies së “bustit”. Z. Nano ishte mandatuar pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991 për të formuar qeverinë, por në mes të majit 1991, ai ishte detyruar të jepte dorëheqjen dhe vetëm rimandatimi nga ish-Presidenti Alia e kishte rikthyer atë në postin e kreut të qeverisë, të cilin e dorëzoi vetëm pak muaj më vonë, për t’ia lënë vendin Ylli Bufit, i cili nuk arriti ta mbajë kabinetin qeveritar më shumë se disa javë. Por, edhe formimi i qeverisë teknike me Kryeministër Vilson Ahmetin, më 19 dhjetor 1991, nuk vendosi paqen politike në vend. PD-ja e drejtuar nga Berisha, e cila kërkonte medoemos marrjen e pushtetit, ishte inspiruesja e grevave që shkatërruan ekonominë e mbetur të vendit, bojkotimeve, prishjes së ekonomisë ish-shtetërore, dhe mbledhjes së anarkisë në vend.

Se sa vlerë kishin takimet “fotografike” si ai i Triestes, e treguan zhvillimet që pasuan ardhjen në pushtet të PD-së, pas zgjedhjeve të 22 marsit 1992. Berisha u bë presidenti më autokratik i ish-Lindjes komuniste, lideri i opozitës u burgos me akuzën për vjedhje ndihmash, dhe për pesë vite demokratët mbretëruan, për ta lënë vendin në kaos në mars 1997.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›