E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, 5 pyetje për çpo ndodh

Çfarë po ndodh në Greqi?

Shumë gjëra njëkohësisht! Ndodh ajo që po shohin të gjithë: Vrasja e një adoleshenti nga një polic i forcave speciale dhe pastaj reagimi i dhunshëm i grupeve të ndryshme, nga anarkistët deri tek huliganët e rrugës. Janë shumë gjëra që u mblodhën dhe shpërthyen papritur. Në radhë të parë vrasja e adoleshentit. U bë në një lagje, e cila është kthyer, këtu e vite, në një lloj getoje tepër origjinale. Lagjia Eksarkia në Athinë, një nga lagjet më historike të saj, është kryeqendra e anarkistëve. Në atë lagje policia nuk hyn. Këtu e vite lagjja është në gjendje shtetrrethimi, sepse policia ndodhet vazhdimisht në 'kufijtë' e saj. Një situatë me të vërtetë në kufijtë e surealizmit. Kjo u interesonte edhe anarkistëve, edhe policisë, besoj. Anarkistët kishin shtënë në dorë një lagje dhe policia gjente alibi për të justifikuar prezencën kundër 'armikut të ri', në mbrojte të paqes sociale. Por, ajo që nuk kishte parashikuar askush, ishte se një ditë të bukur, më saktë një natë të bukur të shtune, një polic i forcave speciale, do vriste pa asnjë lloj arsye një fëmijë që i përket klasës ekonomike të mesme, që aq shumë e do paqen sociale.

Dhe pastaj rebelimi i përgjithshëm i adoleshentëve dhe të rinjve. Një vrasje kaq cinike nuk ka ndodhur në Greqi që pas rënies së Juntës Ushtarake. Dhe është një vrasje që erdhi në një moment të veçantë. E para, këtu e vite, policia akuzohet për sjellje të dhunshme, ndaj emigrantëve dhe qytetarëve grekë. Kjo vrasje zgjoi fantazma të së kaluarës, të një epoke kur policia në Greqi ishte jashtë kontrollit. E dyta, një klimë diskreditimi i përgjithshëm i politikanëve dhe qeverisë mbizotëron në Greqi, për arsye të skandaleve të pabesueshme të korrupsionit të kohëve të fundit. Besoj se po të marrë parasysh dikush të gjitha këto bashkë, mund të kuptojë, ose të shpjegojë një pjesë të asaj që po ndodh sot në Greqi...

Shumë njerëzve u duket e habitshme që gjithë kjo rrëmujë të vijë nga vrasja e një 15-vjeçari. Kush është pas protestave? Pjesa e errët, ajo që nuk duket?

Kush është pas protestave, kjo është një pyetje e lehtë dhe njëkohësisht e vështirë për t'iu përgjigjur. Në radhë të parë, protestat janë dy lloje. Protesta paqësore, ku nxënës adoleshentë dhe të rinj shprehin indinjatën e tyre ndaj policisë. Dhe protesta të dhunshme. Dhe, në këtë rast, nuk është e lehtë të kuptosh. P.sh., është shumë e çuditshme që lagjja Eksarkia, kryeqendra e anarkistëve, nuk ka pësuar asnjë lloj dëmi dhe nuk është përfshirë nga kaosi. Madje, siç më thonë kolegët e mi, gjithë këto net të rrëmujave të dhunshme, anarkistët e ruajnë lagjen e tyre nga grupet e dhunshme. Nga kush përbëhen grupet e dhunshme? Mendimi im është që përbëhen vetëm pjesërisht nga anarkistë. Shumica janë elemente lumpen të adoleshentëve dhe të rinjve, madje edhe emigrantë lumpenë. Elemente huliganësh të të gjitha llojeve që nuk kanë asnjë lloj ideologjie dhe eksitohen nga dhuna. Vepra e tyre bëhet më e lehtë nga abstenimi total i policisë dhe nga paaftësia e qeverisë që të përballet me krizën.

Ka versione që lidhen me ndikime jashtë Greqisë, që kërkojnë dobësim, apo destabilizim të Greqisë në këto situata?

Nuk besoj se kemi të bëjmë me skenarë komploti por me një situatë sociale shumë kritike në Greqi. Në Greqi ka një lumpenizim të një pjese të rinisë dhe ky është një problem serioz politik dhe shoqëror. Në Greqi ka, gjithashtu, një problem serioz që ka të bëjë me demokratizimin dhe specializimin e policisë. Në Greqi ka një krizë morale të klasës politike, e cila rrezikon të humbasë besimin e shoqërisë. Dhe, së fundi, në Greqi duket se ka në këtë moment një vakuum qeverie…

Çfarë skenarësh politikë priten pas kësaj situate?

Është e vështirë t'i përgjigjem kësaj pyetje. Besoj se gjëja më e mirë, por edhe më e mundshmja, janë zgjedhjet e parakohshme...

A mund të krahasohet me Shqipërinë e 97-s?

Besoj se nuk mund të krahasohen. Mund të krahasohet me rebelimet urbane në Angli, në vitet '80, ose në Paris para disa vitesh. Greqia kalon një krizë sociale dhe politike të thellë. Mendimi im është se është fundi i një epoke në Greqi. Fundi i ciklit politik të pas-diktaturës, në të cilën Greqia bëri një hop spektakolar ekonomik dhe institucional. Që këtej e tutje do ndryshojnë shumë gjëra në Greqi. Nuk e di nëse për mirë apo për keq, kjo varet nga përgjigjja politike ndaj krizës së sotme.

*Gazmend Kapllani është shkrimtar dhe kolumnist i gazetës më të madhe greke “TA NEA”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›