E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës/ Nis Festivali Ndërkombëtar i Filmit

Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit do të nisë sot në mbrëmje në mjediset e amfiteatrit antik të Durrësit me projeksionin e filmit "Slumdog Millionaire", fitues i çmimit Oskar 2009.
Ndërkaq sheshi qendror i qytetit dhe teatri "Aleksandër Moisiu" janë përgatitur për pritjen e dhjetra artistëve shqiptarë dhe të huaj, autorë dhe pjesëmarrës në filmat konkurrues. Organizatorët e ISF (International Summerfest Film) 2009, bënë të ditur sot për ATSH-në se gjithçka është gati për orën 20.30, kur aktorja e njohur rumune, Maia Morgenstern, do të prezantojë ceremoninë simbolike të hapjes së edicionit të dytë të këtij festivali, që tashmë bën pjesë në kalendarin e veprimtarive të rëndësishme të qytetit bregdetar.
Prezantimet zyrtare të filmave në garë do të bëhen në mesditë në sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu" nga 23-29 gusht, thanë burimet, sipas të cilave, në seksionin "Contemprorary Visions"(vizione bashkëkohore) do të konkurrojnë 8 filma, ndërsa në seksionin "Balkan World" 7 filma të tjerë.
"Golden Gladiator", Gladiatori i Artë për Filmin më të mirë, do të jetë çmimi kryesor i këtij festivali, të cilin në edicionin e vitit të kaluar e fitoi filmi "Unë i shërbeva mbretit të Anglisë", nga regjisori çek Jiri Menzel.
Juria ndërkombëtare e Festivalit, që kryesohet nga Rik Vemeulen, në këtë edicion do të shpallë edhe çmimet "Regjisori më i mirë", "Filmi më i mirë Ballkanik", "Çmimi i Karierës", si dhe dy aktorët më të mirë të këtij edicioni. Të gjithë filmat konkurrues do të projektohen për publikun e gjerë në mbrëmje në mjediset e afiteatrit antik të Durrësit.
Gjatë këtij edicioni do të shfaqen 23 filma gjithsej, katër prej të cilëve do të prezantojnë kinemanë italiane të viteve 2000. Retrospektiva e kinemasë shqiptare ndër vite në këtë edicion i është kushtuar krijimtarisë së regjisorit të shquar Dhimitër Anagnosti, prej të cilit do të shfaqet filmi i fundit "Gjoleka, djali i Abazit".
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, e cila do të zhvillohet të shtunën e ardhshme në mjediset e amfiteatrit antik, do të shfaqet filmi "Il divo-Gjigandi" i regjisorit Italian Paolo Sorrentino. Mjediset e amfiteatrit antik të Durrësit janë shfrytëzuar për herë të parë si arenë e spektakleve në shtator të vitit 2004 me organizimin e konkursit ndërkombëtar të bukurisë "Miss Globe", ndërsa më pas janë realizuar edhe disa koncerte instrumentale dhe nga trupa të baletit.
/s.s./

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›