Durrës, PS në minorancë në Këshillin Bashkiak
Socialistët në Durrës janë zhytur prej disa muajsh në krizë totale dhe kjo po pasqyrohet edhe në Këshillin Bashkiak, ku demokratët dhe aleatët e tyre përbëjnë shumicën e padiskutueshme. Dega lokale e PS-së, kryetari i saj dhe gjithë strukturat e partisë çdo ditë po humbin terren në bazë, ndërkohë që edhe anëtarësia e LSI-së kaloi në mbështetje të programit të mazhorancës së kryesuar nga PD. Kështu në Këshillin Bashkiak me 45 anëtarë, vetëm 5 prej tyre mbështesin politikisht PS-në dhe vendimet e saj, ndërsa prej disa ditësh shumica blu ka kërkuar votëbesim ndaj kryetarit Vangjush Dako. Pozicionimin “pro” qeverisjes qendrore dhe mazhorancës së sotme, e kanë deklaruar publikisht të zgjedhurit nga LSI, PDR, PR, PDI, PDK, LZHK, PAD, duke siguruar plot 30 mandate nga 45 mandate që ka Këshilli i Bashkisë së Durrësit. Nisur nga kjo shumicë,
kryetari i Këshillit të Bashkisë, Zamir Ramadani, ka deklaruar për “standard” se “është adresuar verbalisht një kërkesë nga një grup këshilltarësh lidhur me votëbesimin e kryetarit Vangjuh Dako, i cili ka humbur shumicën e mandateve në këshill duke vënë në dyshime të forta mandatin e tij”. Sipas z. Ramadani, “në takimin e radhës pritet të bëhet edhe një tjetër zëvendësimi në radhët e këshilltarëve pas emërimit të Genci Alizotit në krye të prefekturës së Durrësit, pas tij pritet të bëjë betimin Ledion Lako, një nga eksponentët kryesorë të PS-së në Durrës, i cili ka shfaqur ambiciet në mënyrë të hapur për mandatin e kryetarit të degës”. Lako është kandidati kryesor që kërkon të sfidojë Gazmir Bizhgën, i cili tashmë ushtron edhe mandatin e deputetit të PS në Durrës. Kryetari i bashkisë, Dako, është cilësuar eksponent shumë i fortë i kryetarit Edi Rama pasi e ka mbështetur në të gjitha vendimet liderin socialist. Këshilli Bashkiak në Durrës ka 45 anëtarë. Por pas zgjedhjeve të qershorit 2008 dhe fitores së thellë të PD-së, balanca në këtë këshill ka ndryshuar në anë të aleancës qeverisëse. Kështu PD ka 14 anëtarë, LSI 5 anëtarë, PDR 2 anëtarë, PR 2 anëtarë dhe PDI 2 anëtarë të tjerë. Në të njëjtën aleancë, pavarësisht kontradiktave janë përfshirë edhe anëtarët e ZHK, PAD, PAA dhe PDK duke e lënë PS në Durrës me 13 votat e saj dhe një votë të PDS-së. Një krizë e tillë ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në pushtetin e vendimeve të kryetarit të baskisë, Dako, i cili pritet të përballet në shumë të papritura në takimin e ardhshëm. Kriza e thellë që ka përfshirë PS-në dhe aleatët e saj pritet të pasohet edhe me një kërkesë për votëbesim të kryetarit të bashkisë, i cili është figurë kryesore e mbështetjes së vendimeve të Edi Ramës. Tashmë PS e Durrësit ka dy rryma të kundërta me njëra-tjetrën, njëra që mbështet Gazmir Bizhgën dhe tjetra që mbështet fuqishëm Vangjush Dakon. Rryma tjetër kërkon të largojë Bizhgën, duke e fajësuar për shumë përgjegjësi në PS. Dako e ka pohuar hapur krizën, duke thënë se PS-ja dhe mbështetësit e saj në Durrës nuk kanë më forcën e kartonit, për të vendosur në zbatimin e projekteve të rëndësishme.