E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, agjencitë doganore bllokuan për 6 orë punën



Agjencitë doganore ndaluan dje paradite punën për rreth 6 orë në shenjë proteste ndaj Autoritetit Portual të Durrësit. Një urdhër i APD-së, i lëshuar dy javë më parë, i cili ndalon hyrjen në sheshin e trageteve të agjentëve doganorë derisa të zbarkojnë kamionët dhe veturat nga tragetet, ka shkaktuar zemëratën e rreth 30 agjencive doganore. Pronarët e tyre për disa orë me radhë ndërprenë punën duke bërë që të bllokoheshin edhe anijet në kalatë, pasi të gjitha proceset e zhdoganimit duhet të kalojnë më parë nga këto agjenci. Një masë e tillë, sipas agjencive doganore, i dëmton ata pasi sjell anomali në procedurat e punës si dhe humbje kohe e për rrjedhojë edhe humbje të klientelës.
Agjencitë deklarojnë se nëpërmjet shoqatës së tyre do të vazhdojnë të kërkojnë anulimin e këtij urdhri. Pas 6 orësh bllokim, ka rinisur puna në Portin e Durrësit me përpunimin e anijeve.

Arratiset nga ambientet e shoqërimit 30-vjeçari

KAVAJË - Një person i shoqëruar në polici është arratisur dje nga Komisariati i Kavajës. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bënë të ditur se dje në mesditë shtetasi 30-vjeçar Edmond Tafariçi, që ishte shoqëruar në polici ku pritej t’i deklarohej vepra penale e kanosjes, ka kërkuar të shkojë në tualet. Pasi i është plotësuar dëshira, 30-vjeçari ka mundur të hidhet nga dritarja e korridorit që ndodhej në katin e dytë të Komisariatit të Kavajës dhe me shpejtësi të largohet prej aty. Efektivët që e shoqëronin, pas arratisë “nën hundën e tyre” të 30-vjeçarit kanë sinjalizuar Komisariatin. Mësohet se pas kësaj forca të shumta policie kanë rrethuar zonën me një rreze të gjerë. Edmond Tafariçi ishte shoqëruar në polici dhe ndodhej në ambientet e shoqërimit të Komisariatit të Kavajës. Policia po vazhdon kërkimet intensive për kapjen e tij.

Vrau në ’97-n, operacioni “Plaga e vjetër” vë në pranga autorin

MAT - Një autor i një vrasjeje të ndodhur para 11 vjetësh në Burrel ka rënë dje në prangat e policisë. Arrestohet pas 12 vjetësh vrasësi i Genci Barçit, vrasje e ndodhur më 10 nëntor 1997, në lagjen “Drita” të Burrelit. Policia e Rrethit të Matit ka zbuluar vrasësin si rezultat i aplikimit të metodave speciale të hetimit, duke e vënë atë në pranga në orën 02.00 të mëngjesit të djeshëm. Operacioni i koduar “Plaga e vjetër” ka vënë në pranga Vladimir Ibrahimin po nga Burreli, i cili kishte marrë dhe një dënim më parë për tentativë vrasjeje ndaj një shtetasi tjetër. Gjatë punës për hetimin dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje u zbuluan edhe dy ngjarje të tjera të rënda të ndodhura gjatë vitit 1997 në Rrethin e Matit, si vrasje dhe vjedhje me armë, por për arsye të sekretit të hetimeve për momentin nuk bëhen të ditur emrat e autorëve.

12 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›