Durrës, drejt mbylljes procesi i legalizimit në disa zona
Drejtori i Agjencisë së Legalizimeve në Durrës, Adrian Lila, bëri dje të ditur për “standard” se në shumë zona informale të këtij qarku po përfundon procesi i legalizimeve.
“ALUIZNI në Durrës ka rezultuar i suksesshëm në procesin e legalizimit të banesave informale. Qysh në muajin nëntor 2009, është arritur që të realizohen hipotekimet e para, duke mbyllur procesin e 120 tapive të para”, - tha ai, duke shtuar se e njëjta gjë “do të ndodhë gjatë vitit 2010 edhe për shtesat e apartamenteve të ndërtuara pa leje, por ne kemi ndryshuar strategji lidhur me legalizimet e shtesave të pallateve dhe atyre që në trojet e veta kanë objekte pa leje”.
Procesi
Lila tha se “ALUIZNI po tregon kujdes, pasi punon me tri kategori ndërtesash të ngritura pa leje, në të cilat bëjnë pjesë shtesat e pallateve të ndërtuara para vitit 1990, katet pa leje në pallate të ndërtuara pas vitit 1991 si dhe banesat e ndërtuara pa leje, por në trojet e veta”. Në ditët e parë të këtij viti, ALUIZNI Durrës ka ndryshuar metodën e punës dhe ka arritur suksesin e parë, pasi më në fund një kategori e atyre që kanë ndërtuar pa leje ka pranuar që të paguajë detyrimet dhe të përfitojnë tapitë edhe duke paguar me bonot e privatizimit.
Sipas z. Lila: “Agjencia e Legalizimeve është treguar e kujdesshme dhe nuk ka dalë ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila është shprehur kundër ligjit për legalizimeve të banesave të ndërtuara pa leje në tokat e shtetit”. Ajo ka ftuar në këtë proces tri kategori banesash të ndërtuara pa leje, të tilla janë shtesat në pallatet e ndërtuara para vitit 1990, katet pa leje në pallatet pas vitit 1991 si dhe ato të ndërtuara pa leje në trojet e veta.
Aplikimet
Gjatë vitit 2009, në këtë degë janë paraqitur qindra aplikantë të cilët bëjnë pjesë në të tria këto kategori. Ata kanë shlyer detyrimet financiare në bazë të ligjit dhe tashti janë në pritje të marrjes së certifikatës së pronësisë. ALUIZNI ka angazhuar punonjësit e tij, të cilët kanë marrë kontakte me këta banorë dhe i ka ftuar që të procedojnë për legalizimin e banesave në bazë të ligjit, pasi një pjesë ka qenë vetë e interesuar për këtë proces.
Në bazë të aplikimeve rezulton se në Durrës janë ndërtuar 100 shtesa në pallatet e ndërtuara përpara vitit 1990, në të cilat janë strehuar rreth 140 familje. Janë evidentuar mbi 150 pallate pas 1991 me kate mbi lejet e ndërtimit në të cilat janë strehuar gati 300 familje si dhe janë pothuajse 600 banesa të ndërtuara pa leje në trojet e veta.
Lila tha se “në këto kategori ndërtimesh pa leje është gjetur mirëkuptim edhe me pushtetin vendor, ndërkohë një rëndësi të veçantë po i kushtohet mbylljes së procesit në zonën e ish-Kënetës, e cila ka pasur përparësi nga ana jonë”, - tha Lila.