Xhamia e Plumbit
Një partizan i tregtisë së pikturës nga Shkodra ka zbritur në kryeqytet me një pikturë krejtësisht të panjohur, mbërthyer në një kornizë të zakonshme, por që mban emrin e famshëm të piktorit Kol Idromeno. Tabloja tregon Xhaminë e Plumbit në Shkodër. E errëta që ka veshur pikturën, midis blusë dhe jeshiles, jep godinën e shenjtë në versionin e saj origjinal. Tabloja e futur gati me “përdhunë” në kornizë ngjyrë floriri, është e dëmtuar si copë në dy qoshet e saj. Është pronari i galerisë private “Gjikondi”, Vangjel Gjikondi, që e tregon rastësisht prurjen më të re në galeri. Kjo ka ndodhur rreth një muaj e gjysmë më parë.
Tabloja nuk është vendosur hapur, apo më mirë ekspozuar në ndonjë vend të dukshëm. “E strehuar” poshtë tablove të tjera për shitje, Gjikondi thotë se personi që ja ka sjellë për shitje i ka vendosur një çmim prej 7 mijë eurosh. E shtrenjtë, vështirë për t’u shitur, por është Kol Idromeno garancia. Gjikondi na tregon se kjo pikturë duhet të jetë bërë rreth 125 vjet më parë, kur i riu Idromeni, duhet të ketë qenë 26 vjeç dhe kjo punë duhet të jetë ndër të parat. Gjikondi, piktor, njohës i mirë arteve pamore, galerist i vjetër, por dhe një koleksionist i artit, thotë me siguri që kjo është një tablo origjinale dhe mund të flitet për një periudhë të hershme, ndoshta sapo ka mbaruar shkollën Idromeno. Këtë e bën të besueshme galeristi, duke shpjeguar tablonë, se si piktura që tregon Xhaminë ka një vel, ku ndjehet influenca veneciane.
Se si kjo pikturë ka mbërritur deri në Tiranë, Gjikondi ka ndjekur logjikën e njeriut që ia dorëzoi për ta shitur - piktura mendohet të ketë qenë e porositur nga ndonjë familje myslimane dhe jo krijimtari e lirë e Idromenos. Po megjithatë galeristi e dallon se Idromeno e ka ruajtur atmosferën orientale të Xhamisë së Plumbit.
“Pavarësisht se ka mbaruar në Itali, Idromeno mund të ketë qenë 26 vjeç, dhe kjo tablo edhe pse nuk ka cilësinë e Motra Tone, ndoshta ka qenë porosi e ndokujt në Shkodër”, - thotë Gjikondi. Që kjo tablo të jetë porositur nga ndonjë familje, galeristi na e shpjegon me shenjat e dëmtimeve anësore që ka tabloja, që dëshmon se është përdorur direkt në mur, pa kornizë. Ka qenë në traditën e shtëpive shkodrane që pikturat të viheshin midis dritareve dhe muri të vishej me arkitekturë prej druri, e cila ka lënë gjurmë në dy anësoret e tablosë. Nuk është çudi thotë Gjikondi se kjo tablo të jetë porositur nga shtëpitë në lagjen, ku ka ndodhur edhe përmbytja aktuale. Pandeh se shtëpia bashkë me tablonë mund të jetë larguar nga ajo lagje kur kanë ndodhur përmbytjet e dëshmuara, të para 100 vjetëve.
Gjikondi thotë se është hera e parë që ndeshet me këtë tablo, dhe se Idromeno të ketë pikturuar një xhami, është një kontekst historik për t’u konsideruar, duke treguar se njerëzit kanë pasur dëshirë të kenë një vepër të piktorit në shtëpinë e tyre.
Por mendojmë se nuk përjashtohet mundësia që kjo pikturë të ketë qenë porositur nga shtëpia turke e vendosur përballë xhamisë. Për kronikën e asaj kohe thuhet se “përballë xhamisë, në krye të shtegut që të çon drejt saj gjendet një shtëpi turke shumë e bukur, e cila dikur ka qenë muze. Është një ndërtesë e madhe banimi me dy kate, e shekullit XVIII, por nuk është e hapur për publikun”.
Megjithatë hipoteza tjetër mund të ketë lidhje dhe me Idromenon arkitekt dhe inxhinier, pasi zona rreth xhamisë dikur ka qenë e banuar, me shtëpi karakteristike shkodrane në një prej të cilave duhet të porositur tabloja e Idromenos.
Por si çdo histori që vishet nga misteri, Gjikondi thotë se tabloja e Xhamisë së Plumbit ka përfunduar dhe dalë nga familja e vjetër shkodrane Kakariqi, që njiheshin për tregti të veprave të artit, ku kujtojmë dhe zhurmën për tablonë e Rembrandit të blerë nga Galeria Kombëtare e Arteve. Tabloja “Xhamia e Plumbit” që erdhi në Tiranë nga një partizan i pikturës dhe ndodhet aktualisht në galerinë “Gjikondi”, ende nuk njihet as nga specialistët, apo galeristë të tjerë privatë. Çmimi kësaj pune i është vendosur një çmim, tepër i shtrenjtë, që nuk dihet nëse do të reagojë për konfirmim Galeria Kombëtare e Arteve, por që gjithsesi ndodhet në një situatë trishtuese - bëhet fjalë për dëmtimet që ka pësuar vepra nga koha.
Gjikondi thotë se restaurimi i veprës është pak e rrezikshme, sepse do shumë kujdes, pasi e rëndësishme është të mbahet origjinaliteti i veprës, i duhet qëndruar kohës kur është kompozuar, drita që ka pasur, ngjyrat e gjithë atmosfera e krijimit.
Sigurisht kjo hyn për galeristin në ato piktura të shtrenjta që është vështirë të blihen. Por, Gjikondi mendon se ai që ka dëshirë ta blejë ndoshta mund ta pengojë specifika e tablosë që është pikturimi i xhamisë, por për atë që koleksionon, tabloja ka një vlerë të madhe.
Kol Idromeno është piktori më i famshëm i periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai lindi në Shkodër, ku dhe mësoi elementet e para të fotografisë nga Pjetër Marubi. Më 1876, ai qëndroi për disa muaj në Akademinë e Arteve të Bukura në Venecia dhe më pas punoi në studion e një piktori italian. Kur u kthye në Shqipëri (1878), ai u angazhua në një numër aktivitetesh të ndryshme, duke punuar si arkitekt, skulptor, fotograf, skenograf, inxhinier dhe piktor. Ai ishte iniciatori i ekspozitës së parë në Shkodër (1923) dhe mori pjesë edhe në ekspozitën e parë kombëtare të arteve në Tiranë (1931). Është themelues i një studioje fotografike shumë aktive. Idromeno ishte i pari që solli filmin kinematografik në Shqipëri (1912). Ka krijuar një numër të madh kompozimesh etnografike. Portreti i tij “Motra Tone” nuk është vetëm kryevepra e tij, por një nga pikturat më të mira të të gjithë artit grafik në Shqipëri. Emri i tij u bë i njohur edhe jashtë vendit, me punët e prezantuara në ekspozita ndërkombëtare, p.sh. në Budapest (1900), New York (1939) etj. Pikturat e tij ndodhen sot në Galerinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në Shkodër etj. Kol Idromeno vlerësohet si Leonardo Da Vinçi shqiptar.