E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, drejt një strategjie të energjisë bërthamore

Shqipëria vendos të hedhë bazat për krijimin e një strategjie të energjisë bërthamore. Ajo që është deklaruar kaherët nga Kryeministri Berisha, se Shqipëria ka potenciale për të ndërtuar centrale bërthamore, po merr formë konkrete me krijimin e një agjencie të posaçme për këtë qëllim. Qeveria vendosi dje në mbledhjen e saj të miratojë krijimin e Agjencisë Kombëtare Bërthamore (AKOB), si institucion qendror në varësi të Kryeministrit, me statusin e personit juridik publik. AKOB-i e ka selinë në Tiranë dhe e zhvillon veprimtarinë në të gjithë territorin e Republikës të Shqipërisë. AKOB-i ka vulën dhe stemën e vet zyrtare. Sipas këtij vendimi, kjo agjenci ka objekt të veprimtarisë përgatitjen, ndjekjen e mbarëvajtjes dhe të zhvillimit të programit kombëtar bërthamor, i cili miratohet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e Kryeministrit. Vendimi i qeverisë, i miratuar dje, përcakton qartë detyrat, dhe objektivat e AKOB-it janë ngritja dhe mirëfunksionimi i infrastrukturës së nevojshme, në mbështetje të programit kombëtar bërthamor; hartimi i kuadrit të plotë ligjor, i cili do të mbështesë zhvillimin normal të programit; hartimi i kuadrit të nevojshëm rregullator, në shërbim të programit; bashkërendimi i punës për përzgjedhjen e vendeve në të cilat mund të ndërtohet centrali bërthamor; përzgjedhja dhe sigurimi i përgatitjes profesionale të personelit të nevojshëm, në mbështetje të programit bërthamor, në faza të ndryshme të tij.
Po kështu, kjo agjenci ka për detyrë të bëjë hartimin e dokumentacionit dhe ndjekjen e procedurave, në bazë të të cilave do të kërkohen oferta për centralin bërthamor. Kjo agjenci ka për detyrë të ndjekë, gjatë gjithë fazave, e procedurave dhe ecurisë për ndërtimin dhe vënien në funksionim të centralit bërthamor, si dhe sigurimin e ruajtjes, afatshkurtër dhe afatgjatë, të lëndës djegëse bërthamore, si dhe të materialeve radioaktive, të cilat lidhen me procesin e prodhimit të energjisë nga centrali bërthamor. Kjo agjenci duhet të bëjë dhe njohjen e popullatës dhe të grupeve të interesit me programin bërthamor, gjatë të gjitha fazave të zhvillimit të tij, si dhe të bëjë vlerësimin e zhvillimit, sipas planifikimit dhe parashikimit të fazave të ndryshme të programit bërthamor. AKOB-i, për të realizuar misionin dhe objektivat e saj, bashkëpunon dhe bashkërendon veprimtarinë mes institucioneve të ndryshme të vendit, publike dhe/ose private, të grupeve të interesit, vendase dhe/ose të huaja. Sipas këtij vendimi, AKOB-i, për të realizuar misionin dhe objektivat e saj, bashkëpunon me: Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA); struktura të ngjashme të vendeve të ndryshme të rajonit dhe të botës; universitete dhe institucione kërkimore, në fushat që mbulon dhe përfshin programi kombëtar bërthamor; institucione jofitimprurëse e donatorë të ndryshëm, vendas dhe/ose të huaj, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.
AKOB-i është institucion buxhetor dhe financohet nga buxheti i shtetit, si dhe nga burime financiare nga palë të treta, të destinuara për programin kombëtar bërthamor, nga fonde të institucioneve ndërkombëtare, të shteteve të veçanta dhe të organizatave të ndryshme, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi, apo dhe donacione të subjekteve fizike dhe/ose juridike, nga sektori privat, vendas dhe/ose i huaj, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›