E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, fuste drogë në qeli, arrestohet gardiani

DURRËS- Një polic i paraburgimit në Durrës ka përfunduar në pranga me një urdhër të prokurorisë dhe vendim të gjykatës së Durrësit. Ai kishte disa muaj që gjurmohej derisa hetuesit dhe agjentët e antidrogës, arritën që ta identifikojnë. Gjithcka kishte nisur kur në njërën prej dhomave, gjatë kontrollit, u gjet dhe sekuestrua një sasi droge e fortë. Dje në mbrëmje, policia e Durrësit arrestoi 41-vjeçarin Arben Voci banues në Xhafzotaj, me punë polic pranë Institutit të Vendimeve Penale Durrës (paraburgimi). Policia zbatoi një vendim të Gjykatës së Durrësit të datës së djeshme e cila kishte vendosur arrestimin e tij dhe njëkohësisht edhe masën e sigurisë me burg pa afat. Polici akuzohet për prodhim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.

Në fakt prokuroria dhe policia e Durrësit kishin disa muaj që hetonin policin në fjalë pasi me datën 27 qershor të këtij viti, gjatë një kontrolli në një prej dhomave të paraburgimit u gjetën dhe sekuestruan një sasi prej 9,4 gram kokainë dhe 2,6 gram cannabis sativa. Që nga ajo ditë u punua për të zbuluar mënyrën se si kishte hyrë kjo sasi droge në paraburgim. Gjurmët çuan tek polici Voci.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›