E Shtunë, 31 Tetor 2026

HIV/AIDS, 65 raste të reja në Shqipëri për 2011-ën

TIRANE- Dhjetëmujori i këtij viti ka diagnostikimin më të madh të personave me HIV/AIDS ndër vite. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik, numri i personave që kanë rezultuar me HIV pozitiv për vitin 2011 është 65 persona, ku midis tyre tre janë fëmijë, ndërsa numri total i fëmijëve të infektuar shkon në 24.

Koordinatori kombëtar për projektin e HIV/AIDS në vendin tonë Roland Bani gjatë një interviste dhënë për "Gazetën Shqiptare" ka sqaruar se nga këta 65 persona, 48 janë meshkuj ndërsa 17 femra, duke e çuar numrin total të të infektuarve me HIV/AIDS në 478 të infektuar. Sipas Specialistit të ISHP-së Bani mendohet se numri në total i të infektuarve në vendin tonë mund të jetë mbi një mijë persona. Nga të dhënat e këtij institucioni ndjekin terapi e antroretroviral 161 persona, ku midis tyre 14 janë fëmijë.

Edhe gjatë rasteve të diagnostikuar për këtë vit kanë rezultuar pozitiv ndaj këtij virusi tre fëmijë, nën 15 vjeç, të cilët e kishin marrë sëmundjen nga nëna. Për këtë arsye specialisti Roland Bani bënë apel që çdo grua shtatzënë duhet të kryej testin për HIV/AIDS pasi nëse merren masat e duhura në kohë, fëmija lind i shëndosh.

Gjithashtu, ai apelon për bërjen e testimit nga ana e çdo personi që mendon se ka kryer marrëdhënie seksuale jo të sigurt, duke pasur parasysh që 92% e rasteve në vendin tonë janë infektuar nga rrugë seksuale.
(Lajmin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Gazeta Shqiptare)
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›